Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja pret një organizator të huaj

Skuadra e Besëlidhjes i ka vazhduar me intensitet të lartë përgatitjet për fazën e dytë të kampionatit. Prurjet e reja duhet thënë se e kanë prishur pak normalitetin e ekipit, megjithatë stafi teknik është duke vëzhguar me kujdes të gjithë të afruarit për të marrë një vendim të saktë për të ardhmen e tyre. Deri në këto momente me ekipin lezhjan kanë lidhur kontratë Kaçi, por edhe ish-mesfushori i Partizanit dhe Kamzës, Ardian Beqiri, ndërsa pritet edhe lojtari i Skraparit Brata. Trajneri Ritvan Kulli është bashkuar me ekipin në seancat stërvitore pas disa ditësh mungesë për arsye shëndetësore dhe pritet të zhvillojë një takim me presidentin Noka për formatimin final të skuadrës dhe për futbollistët që nevojiten për realizimin e objektivave.

Ndërkohë sot do të jetë edhe një ditë vendimtare për skuadrën e Besëlidhjes, pasi do të rikthehen tre serbët: Aleksandër Stojkoviç, Voislav Trajkoviç dhe Aleksandër Miliç. Por, sipas burimeve pitet që së bashku me këta futbollistë të vijë edhe një tjetër mesfushor serb, i cili mund të luajë në rolin e organizatorit. Megjithatë, ky lojtar do të zhvillojë më parë provën e stafit teknik dhe, më pas, nëse e kalon do të firmosë përfundimisht një kontratë me klubin. Gjatë këtyre ditëve të përgatitjeve skuadra e Besëlidhjes do të ketë edhe disa ndeshje miqësore, të cilat do shërbejnë për të parë më nga afër gjendjen e lojtarëve dhe përmirësimin e skemave taktike nga trajneri Kulli.
Burimi: Panorama Sport
Back To Top