Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, sytë nga të rinjtë

Mbipopullim futbollistësh ka patur edhe stërvitja e kësaj të marte në kampin lezhjan. Përpos të konfirmuarve, një numër i madh futbollistësh të të rinj u është dhënë rasti, për t’u provuar këtë fillim faze pranë ekipit të Besëlidhjes. Stafi menaxherial dhe teknik, përpara se të futet në merkaton dimërore ka afruar pranë klubit futbollistë që mund të japin kontribut tek ekipi i të rriturve. Kjo ka bërë që edhe “dyndja” të mos vonojë, duke e populluar stërvitjen me një numër të konsiderueshëm lojtarësh. Lezhjani Mirsad Gruda e sheh me optimizëm këtë afrim të talentëve lezhjanë.

 “Është një eksperiencë pozitive, sepse përpos se afron të rinj, ul edhe koston e klubit. Por më shumë se kaq, unë do ta vlerësoja këtë sipërmarrje edhe për ta pasuruar grupin me sa më shumë lezhjanë. Ajo që vihet re gjatë këtyre viteve është një “mani” për të marrë futbollistë nga rrethet e tjera. Jo se nuk jam dakort me këtë, por mendoj se kjo duhet të bëhet për futbollistë që kualiteti i i tyre të jetë dukshëm më i mirë, se i lojtarëve vendas. E them edhe njëherë, jo se jam lokalist, por nuk është korrekte, që klubi investon me kuadro dhe ambiente për këta futbollistë dhe ata t’i shërbejnë një klubi tjetër me parametra zero, pra duke mos paguar asnjë vlerë monetare.

Ndoshta përzgjedhjet e grupit tonë janë bërë të studiuara, por do të isha shumë dakort që edhe këtyre të rinjve t’u japin një mundësi. Gjithsesi, këto janë politika të klubit, që ndoshta mund t’u kushtojë edhe pak më shumë kujdes këtij menaxhimi, duke i huazuar ose edhe duke furnizuar ekipin e ri që po ngrihet në Shëngjin. Përsa i përket ekipit tonë, mendoj se edhe pse jemi në vendin e katërt, kjo nuk është ndonjë “gjëmë” e madhe, sepse kampionati është në gjysmë të tij dhe ne i kemi të gjitha mundësitë për të rikuperuar pozicionin dhe më tepër këtë rikuperim e shikoj në takimet direkte, që kemi me ekipet rivale.

Dhe duke ditur që kushtet e ekipeve rivale janë të mira, atëhere kjo na avantazhon që të tregojmë vlerat tona, qofshin këto takime edhe në transferta. Kemi filluar stërvitjen dhe çdo gjë është brenda parametrave të parashikuara. Kemi deri tani vetëm dy largime të konfirmuara, por edhe një grup të madh futbollistësh nga ekipet e tjera që na janë vetëofruar. Tani është puna e stafit teknik, për të përzgjedhur ata që do t’i duhen grupit. Por duke parë ecurinë e fazës së parë, ajo që i mungon grupit është vetëm përforcimi në repartin e sulmit, çka e tregon më së miri edhe numri i pakët i golave të shënuar.

 Mendoj se ruajtja e unitetit brenda grupit është faktori i parë që duhet të jetë i pacënuar, sepse ka qenë ky unitet që na ka bërë të tillë, për të marrë këto rezultate të deritanishme edhe pse nuk janë fort të pëlqyeshme nga stafi dhe tifozeria jonë”, përfundon mbrojtësi 26-vjeçar, që për fazën e parë ka bërë rolin e futbollistit “xhol”, duke luajtur në të gjitha pozicionet e linjës së majtë.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top