Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Drejt fundit të merkatos me një ekip më kompetitiv

Ka qenë serbi Milan Gjergjeviç i fundit i afruar te Besëlidhja, edhe pse lista e federimeve të ekipt ende nuk është mbyllur, duke lënë vend edhe për ndonjë prurje të minutave të fundit. Gjithsesi, në kampin lezhjan, gjithçka është plotësuar dhe çdo afrim duhet të jetë tejet cilësor që të lëvizë skemat e trajnerit. Kulli ka patur këtë të hënë të gjithë futbollistët që do të jenë në vazhdim te Beslidhja e fazes së dytë dhe tashmë stërvitja e ka mbyllur fazën eksperimentale me provimin e futbollistëve aspirantë. Në bilancin e “hyrje- daljeve” lezhjane, janë larguar aq futbollistë sa edhe afruar. Kanë lënë Besëlidhjen për këtë fazë Gavriloviç, Mehja dhe Buraku nga futbollistët e formacionit dhe janë afruar Kaçi, Beqiri, Gjergjeviç dhe Pjetrani. Ose janë larguar dy mbrojtës dhe një sulmues dhe janë afruar një mesfushor dhe tre sulmues, çka flet për një përforcim të repartit që ka qenë problematikë për fazën e pare, ai i sulmit.

Një nga futbollistët që ka mundur të përballojë konkurencën lezhjane është edhe mesfushori Ervin Malasi. Pa dyshim, krahas paraqitjes së tij të fazës së parë, një “bonus” ka qenë edhe njohja e vjetër e futbollistit me stafin teknik, por veçmas me tifozerinë lezhjane, që e konsideron mesfushorin si një nga beniaminët e vet . Për aventurën tek Besëlidhja, mallakastrioti do të shprehej me superlative: "Kam qenë pjesë e ekipit edhe sezone të mëparshme. Kështu që, në këtë qytet jam më i vjetri, ose në shtëpinë time dhe kjo falë edhe njohjeve të hershme të futbolldashësve lezhjanë. Kam patur edhe disa oferta të tjera këtu nga Shqipëria dhe nga Malta, por duke parë objektivat e perspektivës te Besëlidhja, si dhe ambientin e ngrohtë, nuk e mendova dy herë këtë ofertë”.

Ndrësa për ecurinë në këtë sezon, Malasi do të thoshte: “Kemi zhvilluar një fazë të parë relativisht të mirë. E them kështu, sepse ka qenë një fazë që kemi patur shumë dëmtime dhe nuk ishim përgatitur për kaq mungesa, por tani, me ndërhyrjen në merkaton dimërore, grupi është forcuar shumë dhe besoj se për këtë fazë kemi për të qenë ndër ekipet më të forta. Kjo falë edhe dublimit të pozicioneve me nga dy futbollistë, që duhet thënë se, si futbollisti i formacionit, edhe ai rezerve, janë të të njëjtit kualitet, çka na jep sigurinë se nuk kemi për të ndierë mungesat nga dëmtimet apo kartonat", ka përfunduar mesfushori 26-vjeçar. Futbollisti ballshiot rikthehet pranë ekipit të Besëlidhjes, mbasi ka qenë pjesë e tijë para dy sezionesh.

Burimi: Sport Ekspres
Back To Top