Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Fillon stërvitja zyrtare, konkurrenca bëhet çdo ditë e më e fortë

Dita e sotme është caktuar si fillimi i stërvitjes zyrtare për lezhjanët. Bashkë me të përzgjedhurit e deritanishëm do të mbarojnë edhe pushimet e stërgjatura të futbollistëve serbë Stojkoviç, Miliç dhe Trajkoviç. Tashmë edhe grupi i ri ka filluar të marrë fizionominë përfundimtare, teksa përforcimet me emrat e Albet Kaçit dhe Ardjan Beqirit pothuajse kanë përfunduar të gjitha negociatat kontraktuale dhe tashmë ata janë futbollistë të Besëlidhjes. Po kështu shpresohet se, edhe kontributi i sulmuesit  fushkrujas, Brataj, do të jetë i nevojshëm, duke i përforcuar lezhjanët në sulm , aty ku është ndierë jo pak një mungesë konkretizimi.

Edhe seleksionimi natyral ka dhënë rezultatin e tij, teksa pothuaj të gjithë futbollistët që nuk e kanë gjetur veten në nivelin e kërkuar janë larguar vetë. Në këtë “mbijetesë”, pinjolli Klejd Dibra e ka gjetur veten më të sigurt dhe pse jo tashmë kërkon që ta ndihmojë ekipin më shumë me aktivizimet e tij. 20-vjeçari tashmë e konsideron veten më të rritur dhe të sigurt, dhe për “Sport Ekspres” do të shprehte garancinë se, edhe pse mbrojtja e Besëlidhjes është ndër më cilësoret, ai do të arrijë ta fitojë formacionin. " E di që, me futbollistë të nivelit të Stojkoviçit, Kepit, Peqinit, Grudës, apo Shytanit, më lehtë është ta zësh një vend në formacionin e një ekipi të Superiores, se sa këtu tek Besëlidhja.

Por, unë besoj se, duke punuar fort dhe me përkushtim do të mund të arrij që, kontributi im të jetë i vlefshëm për mbrojtjen lezhjane. Jo se një vend në formacionin bazë është qëllim në vetvete, përpara suksesit të ekipit, por së bashku me superioren e ekipit, edhe vendi në formacion bën pjesë në ambiciet e mia personale. Tashmë grupi është është bërë më shumë se i fortë dhe rezultatet e Besëlidhjes nuk do të mungojnë. Përveçse kemi një grup kualitativ, avantazh kemi edhe kalendarin që na favorizon, për fazën e dyrë. Gjithsesi ne nuk e mbështesim suksesin tek rastësia apo fati, por tek siguria që ka kualiteti i ekipit tonë", do të përfundonte Dibra, futbollist që, së bashku me vëllain e tij, Arencin, janë dy prurje që realisht i bëjnë punë skuadrës së Kullit.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top