Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Kaçi është i bindur: Besëlidhja në Superiore

Besëlidhja ka vijuar dje paradite me stërvitjet e zakonshme në kuadër të fazës përgatitore. Në fushën e stërvitjes ishin të gjithë futbollistët, përfshi edhe të ardhurit, produkt i merkatos dimërore. Katër nga lojtarët tashmë kanë veshur zyrtarisht bluzën e Besëlidhjes, por ka edhe të tjerë që po stërviten me ekipin në pritje të ndonjë zyrtarizimi të mundshëm. Afër zyrtarizimit është edhe mesfushori i majtë, 19-vjeçari Saimir Hyseni, i ardhur nga akademia e futbollit Vllaznia. Të martën ose të mërkurën, drejtuesit e Besëlidhjes kanë planifikuar një miqësore me Dinamon në stadiumin “Besëlidhja”.

Një prej blerjeve të lezhjanëve në këtë merkato dimri është edhe Albert Kaçi. Për “Panorama Sport”, mesfushori shprehet: “Besëlidhja është një skuadër për ngjyrat e së cilës ia vlen të luash si për sa i përket anës organizative, edhe produktit teknik e fizik që ka grumbulluar rreth vetes. Gjatë fazës përgatitore janë zhvilluar pak ndeshje miqësore, kjo për shkaqe objektive dhe jo për mungesë interesimi nga ana e drejtuesve. Në ndeshjen që Besëlidhja zhvilloi në Tiranë ndaj Dinamos, pavarësisht rezultatit negativ që morëm, u pa një skuadër që di të luajë futboll dhe se pozicioni që mban në tabelën e klasifikimit në mbyllje të fazës së parë nuk është i rastit, por produkt i një skuadre që di ta kërkojë golin dhe ta mbrojë portën. Besëlidhja e fazës së dytë është e aftë të përballet me çdo ekip të Superiores”.
Burimi: Panorama Sport
Back To Top