Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Kaçi, gjithçka në “plehra”, për hir të Besëlidhjes...

Ka vazhduar stërvitja me dy seanca në ditë në kampin lezhjan, por ajo që do të ndryshojë në këtë fazë do të jetë lufta tejet e ashpër për të arritur formacionin. Ndërkohë, kualiteti i ekipit ekzistues, si dhe afrimet e deritanishme, e kanë forcuar së tepërmi konkurrencën brenda grupit. Numri i futbollistëve të afruar, i ka kaluar parashikimet nga mbipopullimi i deritanishëm dhe ende nuk ka filluar të kalojë në fazën seleksionuese, një fenomen ky i pashmangshëm edhe pse do të “prodhojë” të pakënaqur. Gjithsesi, lezhjanët tashmë e kanë forcuar së tepërmi kualitetin e grupit me prurjet e reja, kur dihet që edhe tre serbët që janë në provë janë po kaq kualitativë sa edhe futbollistët e formacionit.

Albert Kaçi, prurja më e bujshme e lezhjanëve në këtë meskampionati do ta quante këtë lëvizje si një ndër më pozitivet në karrierën e tij dhe kjo jo për nga emri i skuadrës, apo niveli i aktivizimit të ekipit të ri, por nga perspektiva që garanton ky klub dhe veçmas nga trajtimi që i bëhet futbollistëve në skuadër, si nga ana financiare, por edhe nga respekti që ushqen populli lezhjan në përgjithësi për lojtarët. “Padyshim që kam pasur oferta, që ndoshta mund të ishin edhe më të mira, por nuk kam zgjedhur trajtimin financiarë edhe pse për ne profesionistët është primari.

 Por në këtë rast ndryshova, duke qenë më pragmatik. Pra dua të them, se mund të merrja më shumë para diku tjetër, që nuk është i nevojshëm emri, por këtu ka një ndërthurje të parave me objektivin primar. Duke parë grupin dhe seriozitetin e stafit drejtues, nuk u mendova dy herë, për të pranuar ftesën që më bënë patriotët e mi, që luajnë këtu në Lezhë dhe stafi teknik, që vazhdon të besojë tek unë. Nuk kam ardhur këtu duke nxjerrë emrin përpara dhe gjithçka do të duket në ndihmën që do t’i jap skuadrës. Kontributi im do të jetë i dukshëm dhe këtë e mbështesë tek eksperienca ime, si dhe tek forma aktuale që kam arritur, si rezultat i një stërvitjeje specifike gjatë gjithë kësaj periudhe.

 Tek Besëlidhja dua që të lë një shenjë të mirë, ashtu sikur e kam bërë në Shkodër, Elbasan, apo edhe në Durrës. Bashkë me këta djem, nuk është e vështirë të fitosh dhe ne nuk do të na mungojnë fitoret këtë fazë të mbetur. Besoni se grupit të Superiores do t’i shtohet edhe emri i Besëlidhjes në sezonin e ardhshëm”, ka përfunduar mesfushori me tipare sulmuese, Albert Kaçi, një nga goditjet më të spikatura të lezhjanëve në këtë merkato dimërore.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top