Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Kulli nuk e vë në dyshim ngjitjen në Superiore

Besëlidhja vijon stërvitjet me dy seanca të alternuara, në palestër dhe në fushë. Lezhjanët, si pretendentë kryesorë për t’u ngjitur në Superiore, kanë afruar deri më tani katër futbollistë me emër. Drejtuesit e tyre janë impenjuar maksimalisht në riformatimin e ekipit. Trajneri Ritvan Kulli është shumë i angazhuar për të ndërtuar formacionin më të mirë që do të përdorë në fazën e dytë. “Besëlidhja këtë sezon do t’ia dalë. Do të ngjitet në Superiore e mbështetur në produktin teknik e fizik që ka grumbulluar deri tani, pa përjashtuar edhe pikët e grumbulluara gjatë fazës së parë.

Më ngroh fakti që lojtarët janë optimistë për objektivin që i kemi vënë vetes. Kreu i tabelës së Kategorisë së Parë është me një diferencë pothuajse të papërfillshme nga ndjekësit. Diferenca e pikëve është më pak se pikët e një ndeshjeje, përveç Luftëtarit, që varet nga rezultati i sfidës së prapambetur me Kukësin. Faza e dytë për Besëlidhjen do të jetë jo e lehtë, ndonëse as e pamundur. Organika që kemi deri tani në dispozicion është premtuese, por mbetet për t’u parë në fushën e blertë. Tani që po i vjen zyrtarisht fundi merkatos së dimrit, detyra themelore që na mbetet është konfigurimi i formacionit bazë, i cili mendojmë se do të jetë frutdhënës. Kemi planifikuar ndërkaq miqësore me skuadra të Kategorisë Superiore”, – përfundon Kulli.
Burimi: Panorama Sport
Back To Top