Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Lezhjanët: Ne, autoriteti i kampionatit

Lezhjanët e kanë nisur stërvitjen e parë të këtij viti me mungesat e konfirmuar.  Edhe këtë të enjte, rreshti i futbollistëve vendas është plotësuar me jabanxhinjtë shkodranë, që edhe pse e kanë patur lejen për stërvitje fakultative në qytetin e tyre kanë preferuar që të jenë në Lezhë. Ashtu sikurse pak ekipe, jo vetëm në këtë kategori, por edhe më sipër, ajo që bie në sy në ekipin e Besëlidhjes është likuidimi i kontratave me maksimumin e korrektësisë. Stafi menaxherial, tashmë ka fituar autoritetin e një grupi profesionist në drejtimin e grupit, larg problematikave, si të likuidimeve, apo problemeve jo të pakta që hasen në ekipe të tjera dhe që bëhen pengesë në mbarëvajtjen e rezultateve.

Fantazisti Ervit Jacaj edhe pse nuk ka mundur ta ndihmojë ekipin e tij në ndeshjen deçizive me Kukësin do të shprehej i sigurtë, se ngjitja e Besëlidhjes në Sueriore është çështje kohe. “Padashur të futem në problemet e merkatos - do të shprehej mesfushori - mendoj se grupi ka filluar të funksionojë më së miri. Padyshim përforcimet janë të mirëpritura, sepse forcojnë grupin dhe rrisin konkurrencën. Rëndësi ka, që pjesa që do të afrohet të integrohet me pjesën tjetër të skuadrës, sepse ne kemi 6 muaji që punojmë për të arritur në këtë fazë. Kemi bërë edhe gabime, por mendoj se më shumë kanë ndikuar gjyqtarët. Ajo që ka rëndësi është, që ne jemi tejet të kënaqur me trajtimin që na kanë bërë dhe tani është radha jonë për të shpërblyer me rezultate drejtuesit, tifozët, si dhe stafin teknik. Besoj se shumë shpejt do të jemi në krye. Përsa i përket merkatos, ne jemi nën kontratë dhe largohemi vetëm nëse nuk e kemi justifikuar qëndrimin, asnjë arsye tjetër nuk na ndan nga Besëlidhja", përfundon talenti 21 vjeçar, Ervit Jacaj.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top