Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Xhika: duhen zëvendësuar vetëm ato që janë larguar

Edhe e shtuna vetëm sa ka shtuar lakimet e emrave të futbollistëve të mundshëm, që mund të jenë pjesë e Besëlidhjes në fazën e dytë. Madje pas atij gjallërimi të dy-tre ditëve të mëparshme, ambjenti ka qenë sërish i vakët në aktivitetet futbollistike dhe si fushë stërvitjeje tashmë shërbejnë lokalet publike të qytetit, aty ku dhe informacioni është ndër më të larmishmit. Tashmë edhe “ultrasit” janë solidarizuar me konspiracionin e stafit menaxherialë, duke na i fshehur emrat konkret, për të na i treguar ata, sikurse thonë, “vetëm kur të jenë nënshkruar kontratat përfundimtare”.

Por, e sigurt është se reparti që do të përforcohet do të jetë ai ofensiv, e diktuar kjo edhe nga numri i pakët i këtyre lloj futbollistësh, që ka në dispozicion ekipi. Edhe “gardiani” i portës lezhjane, Dashamir Xhika do të ishte në të njëjtën linjë me stafin, duke u hermetizuar në dhënien e emrave konkretë, për t’u prononcuar vetëm për vijueshmërinë e suksesit të ekipit në këtë fazë të dytë. “Nuk mendoj se ekipi e ka të domosdoshëm futjen me patjetër në merkato. Nëse do të hynte, mendoj se duhet të zëvendësonte vetëm ata që janë legalizuar si të larguar. Këtë e them, sepse grupi ka funksionuar dhe gjithë çalimi ka qenë në stol, aty ku ne nuk kemi patur kontigjentin e duhur, për të përballuar kualitetin dhe ngarkesën që kërkoi kjo fazë e parë.

Nëse do të afrohen futbollistë të tjerë, patjetër ata duhet të bëjnë diferencën dhe të kenë përvojën e mjaftueshme që të sinkronizohen me grupin. Nuk mund të jap emra, se nuk jam fort i interesuar për emra, por di që dy largimet e deritanishme, kryesisht sulmuesi Gavriloviç, duhet të zëvendësohen urgjentisht, që të ardhurit të fillojnë sa më shpejt stërvitjen. Mendoj se kualitete të nivelit të Peqinit, Kepit, Shytit, Shytanit, Grudës, apo qendërmbrojtësit serb Stojkoviç janë për më shumë se kategoria ku luajmë. Një tjetër armë ku e shpresojmë rikuperimin e pikëve janë edhe takimet e drejtpërdrejta, qofshin këto edhe në transferta, vetëm që të luhet ndershëm.

Bëni durim, për t'ja u vërtetuar këtë. Përsa i përket pozicionimit tim për merkato, tashmë unë jam një “lezhjan” dhe asnjë ofertë nuk më ndan nga vlerësimi financiar dhe për mbështetjen që më kanë dhënë këtu, nuk kam arsye të mendojë shkëputjen nga ky klub. Pastaj ne kemi nisur një projekt dhe nuk mund të lihet në mes për asnjë arsye”, përfundon portieri më i mirë i kampionatit të Kategorisë së Parë, e vlerësuar kjo nga statistikat teknike të deritanishme.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top