Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja pezullon serbin, Stojkoviç drejt largimit

Në prag të ndeshjes që Besëlidhja luajti në Himarë, ka lindur një konflikt mes qendërmbrojtësit serb Aleksandër Stojkoviç dhe trajnerit Ritvan Kulli. Gjatë sfidës së kontrollit që po luhej në stadiumin “Besëlidhja”, qendërmbrojtësi, pas një ndërhyrjeje të gabuar ndaj sulmuesit Dibra, është qortuar nga tekniku Kulli. Mirëpo mbas një replike, gjithçka ka përfunduar me nxjerrjen nga loja të Stojkoviçit prej kreut të pankinës. Pas këtij incidenti, teksa serbi largohej nga fusha, ai është thirrur nga presidenti Gjokë Noka, që po e ndiqte nga afër seancën stërvitore. Por, siç duket, edhe këtu dialogu është zhvilluar i ashpër. Megjithatë, të gjithë menduan se ishte thjesht një ngjarje e momentit dhe se nuk do të kishte pasoja. Mirëpo Stojkoviç nuk u grumbullua për transfertën e Himarës. Madje, tani gjërat janë bërë vërtet serioze. Drejtuesit e klubit kanë marrë edhe masat respektive.

Dënimi - Lidhur me vendimin që klubi ka marrë për të dënuar mbrojtësin serb, vetë presidenti Noka ka zbardhur gjithçka: “Nuk është hera e parë që Stojkoviç kundërshton trajnerin, apo edhe pjesëtarët e tjerë të stafit teknik. Pas ndërhyrjes së rëndë që qendërmbrojtësi Stojkoviç i shkaktoi sulmuesit Dibra, trajneri e qortoi me të drejtë dhe e nxori nga fusha. Mirëpo në vend që të kërkonte të falur, ai debatoi ashpër me teknikun. Kur serbi la fushën e stërvitjes, unë e thirra për të sqaruar situatën, por edhe me mua replikoi ashpër. Në analizën që zhvilluam në prag të nisjes drejt Himarës, unë së bashku me stafin teknik dhe me një shkresë për dijeni FSHF-së morëm këto masa disiplinore ndaj Aleksandër Stojkoviç: përjashtohet nga stërvitja për tri javë rresht dhe dërgohet të përgatitet me U-19-ën, dy rroga mujore gjobë dhe në rast përsëritjeje do të largohet përgjithmonë nga Besëlidhja. Në adresë të Stojkoviçit nuk është hera e parë që kam ankesa, si nga stafi teknik dhe nga kolegët e tij, përfshi edhe bashkëkombësit e tij”, ka përfunduar presidenti Noka.

Burimi: Panorama Sport
Back To Top