Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Kulli i pavendosur, formacioni mbetet enigmë

Besëlidhja po vijon të stërvitet me intensitet, pavarësisht kushteve të vështira të motit. Zyrtarisht te Besëlidhja, deri më tani, janë regjistruar plot nëntë futbollistë, përfshi dhe rikthimin e portierit të dytë Danaj. Ndërkohë që në ekip është rikthyer dhe mbrojtësi Shyti, i cili ishte te Burreli. Tashmë brenda grupit lezhjan ka nisur lufta e ashpër sportive, për të zënë një vend në formacionin e parë. Trajneri i Besëlidhjes, Ritvan Kulli, i cili tashmë ka barrën kryesore dhe përgjegjësinë për formatimin e ekipit bazë, është shumë i rezervuar.

 “Te Besëlidhja kanë ardhur shumë futbollistë cilësorë, të cilët kanë luajtur në skuadra me emër, madje dhe në Superiore. Vlejnë të përmenden: Ardian Beqiri i ardhur nga Kamza, Albert Kaçi nga Ada, por që ka luajtur dhe me Vllazninë, Florian Pjetrani nga Luftëtari, Milan Gjeorgjeviç i ardhur nga shkolla serbe e futbollit, apo edhe i riu Saimir Hyseni, i ardhur nga akademia e futbollit Vllaznia, Curri dhe të tjerë. Skuadra është paraqitur mjaft mirë, si në ndeshjet e kontrollit, ashtu dhe në miqësoret e zhvilluara. Loja që ajo ka bërë, më ngroh shumë. Gjithashtu më konsolidohet bindja, se Besëlidhja e sivjetshme patjetër që do t’i bashkohet Superiores. E them pa frikë se dhe atje do të bëjë diferencën. Për sa i përket formacionit të mundshëm që do të luajë fazën e dytë, është herët të kemi diçka konkrete. Ndërkohë që duke qenë se ende nuk është sanksionuar mbyllja zyrtare e merkatos dimërore nga FSHF-ja, dhe në qoftë se do të vazhdojë deri në fillim të fazës së dytë, do marrim të tjerë futbollistë”.
Burimi: Panorama Sport
Back To Top