Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Lezhjanët duan autokritikë, pritet shpërthimi i sulmit

Besëlidhja është grumbulluar dje, në mënyrë që të jetë e gatshme për sfidën e së shtunës ndaj Skraparit, sfidë kjo që do ta luajë në shtëpi. Lezhjanët vijnë në këtë sfidë pas barazimit pa gola në Himarë, rezultat ky që është konsideruar humbje nga stafi i Besëlidhjes. Edhe pas javës së parë të fazës së dytë, lezhjanët vazhdon të mbajnë vendin e katërt në renditje, por me diferencë të vogël nga vendi i dytë. Ekipi i drejtuar nga Ritvan Kulli ka vijuar zakonisht me seancat stërvitore, ku iu kushtua më shumë vëmendje sulmit dhe mesit të fushës. U është mëshuar këtyre reparteve, pasi sulmuesit gjatë fazës së parë shënuan tre gola, e këta vetëm Miliç.

Gjithashtu, stafi teknik një vëmendje të veçantë i kushtoi shmangies së sulmuesve, mbulimit nga mbrojtja kundërshtare dhe gjuajtjeve në portë. Në sfidën e fundjavës, lezhjanët vijnë të kompletuar, pa asnjë mungesë, por Kulli nuk do ta ketë të lehtë të formatojë grupin bazë, pasi numri i futbollistëve cilësorë, të ardhur në këtë merkato dimërore, është i madh. Mendohet se numri një i pankinës lezhjane do ta kërkojë fitoren me po atë formacion që hodhi kundër Himarës, por nuk përjashtohet mundësia e ndonjë plani rezervë, nga ku mund të ketë ndryshim rreshtimi apo emrash. Një gjë është e qartë, se formacioni anti-Skrapar do të shpalosë një performancë superioreje, ku nuk do të mungojnë dhe golat që kanë qenë të pakët. Megjithatë, gjithçka mbetet për t’u parë nesër.
Burimi: Panorama Sport
Back To Top