Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Beqiri: Sulmi lezhjan po shpërdoron shumë

Futbollistet lezhjanë vijojnë stërvitjen në kuadër të transfertës së radhës në Sarandë ndaj Butrintit. Besëlidhja e fazës së dytë, pavarësisht se është e karikuar me elementin e domosdoshëm nga merkatoja dimërore, nuk po del nga ngërçi i humbjeve në transfertë apo nga golat e shënuar me pikatore në shtëpi. Euforia që kishte “pushtuar” Besëlidhjen deri në javët e fundit të fazës së parë, por që e mbylli në vend të katërt, e zbehu paksa, por shpresat u rindezën kur skuadra u kompletua, ose thënë ndryshe gati u dyfishua me elementë tepër cilësorë të ardhur edhe nga elita.

Një i tillë është dhe mesfushori Ardian Beqiri i ardhur nga Kamza, i cili në sfidën me Lushnjën dha maksimumin, pasi luajti me kohë të plotë duke zëvendësuar më së miri Trajkoviçin. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Beqiri shprehet optimist për skuadrën, por ka dhe rezerva, sidomos për sulmin. “Besëlidhja është një ekip i kompletuar me elementin e domosdoshëm cilësor për të pretenduar Superioren, por reparti ofensiv duhet të tregohet më i përqendruar para portës kundërshtare, në mënyrë që rastet e krijuara të mos shpërdorohen. Mbrojtja dhe mesfusha janë në lartësinë e duhur. Në fakt mbrojtja e Besëlidhjes është për t’u pasur zili edhe nga Superiorja, pa përjashtuar këtu edhe portierin Dashamir Xhika, kjo e matur dhe me barometrin e golave të pësuar”, deklaroi Beqiri.

Sa i përket sfidës së radhës në Sarandë, mesfushori i skuadrës lezhjane shtoi se po përgatiten intensivisht. “Kjo sfidë ndoshta në pamje të parë duket e lehtë për t’u kaluar, por nuk duhet nënvleftësuar. Në fushën e blertë të gjithë hyjnë me ambicien për të fituar, por realisht fiton ai ekip që gabon më pak. Nga sa po e njoh Besëlidhjen në këto pesë javë kampionat që jam aktivizuar, nga Saranda jam i bindur se do të kthehemi me pikët e plota dhe kjo na i ndez shpresat për të pretenduar realisht superioren. Pas sfidës me Butrintin pengesë serioze mbetet edhe transferta në Kavajë me Besën”, përfundoi mesfushori Beqiri. Takimin e parë në shtëpi Besëlidhja e ka fituar 1-0 ndaj Butrintit.
Burimi: Panorama Sport
Back To Top