Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja-Burreli, një përballje mes miqsh

Besëlidhja vijon stërvitjet në kuadër të sfidës së radhës ndaj Burrelit. Që nga sot drejtuesit kanë parë të arsyeshme për ta zhvilluar stërvitjen me dy seanca në ditë, në mënyrë që futbollistët t’i eliminojnë gabimet taktike të treguara në ndeshjet e fundit. Trajneri Kulli u ka kërkuar futbollistëve të tij të japin maksimumin në këtë ndeshje, për të marrë një fitore, e cila do t’u jepte mundësi lezhjanëve të afroheshin edhe më shumë me kreun e renditjes. Takimi i së shtunës është i veçantë, për vetë faktin se përballen dy skuadra fqinje, të cilat kanë nxjerrë futbollistë të njohur në vendin tonë.

Gjithashtu, Burreli ka në përbërje të tij shumë futbollistë, të cilët janë prodhuar tek ekipet e moshave të Besëlidhjes, çka pritet ta bëjë këtë ndeshje edhe më tepër interesante. Stadiumi “Besëlidhja” i Lezhës, të shtunën, pritet të jetë i mbushur si asnjëherë tjetër edhe me ultrasit matjanë, të cilët kanë premtuar se do të jenë në masë të madhe. Nga ana e tyre edhe tifozët lezhjanë kanë premtuar mbështetje maksimale për ekipin e tyre që, sipas tyre, sezonin e ardhshëm do të jetë pjesë e Kategorisë Superiore. Në kampin lezhjan janë të bindur të gjithë se kjo sfidë do të kujtohet gjatë për spektaklin profesionist dhe të kulturuar që rrallë herë është parë në stadiumet tona.
Burimi: Panorama Sport
Back To Top