Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, një fitore që vlen më tepër se tri pikë

Në një takim plot emocione, Besëlidhja ka bërë detyrën kundër Lushnjës dhe një gol i vetëm i ka mjaftuar për të arritur shumë objektiva. Më i rëndësishmi është marrja e tri pikëve, të cilat ishin alternativa e vetme me të cilën djemtë e Ridvan Kullit hynë në takimin kundër lushnjarëve. Jo më pak i rëndësishëm është edhe forcimi i besimit në grup, i cili ishte lëkundur pas dy takimeve të mëparshme. Kundrejt skuadrës më të fortë të ardhur deri tani në Lezhë, vendasit kanë vënë zemrën në fushë për të rrëmbyer një fitore të merituar. Me këtë sukses, Besëlidhja shkon në 38 pikë dhe gëzon deri të hënën vendin e katërt, duke pritur se si do të shkojë fati i takimit midis Besës dhe Vlorës, ndërkohë që një javë më pas dy skuadrat do të ndeshen në Kavajë.

Në një atmosferë të ndezur dhe me një tifozeri që e ka vënë nën presion skuadrën për të arritur me çdo kusht fitoren, ndeshja ka nisur menjëherë e ekuilibruar. Miqtë kishin menduar ta zgjidhnin takimin me kundërsulme, duke shfrytëzuar futbollistë si Sefa, Byzhyti apo Canka, të cilët disa herë provuan të kapnin të papërgatitur mbrojtjen vendase. Nga ana tjetër, lezhjanët kanë qenë me objektiva të qarta, duke kërkuar vetëm të shënonin, qoftë edhe duke rrezikuar në prapavijë. Lushnjarët e kanë menaxhuar mirë pjesën e parë, me synimin e shpallur gjatë javës për të mbajtur rezultatin të bardhë në njëzet minutat e para, çka, sipas tyre, do t’u jepte më pas fitoren, për shkak të tensionimit të vendasve nga mungesa e golit.

Nuk ka funksionuar, sepse lezhjanët patën besim dhe ruajtën qetësinë edhe me dyfishin e kohës që “dëshironin” lushnjarët. Loja do të niste me një sulm të golashënuesit të talentuar Canka, i cili rrezikoi nga e majta. Në minutën e dhjetë Kaçi vuri në provë portierin Bejtje me një goditje dënimi. Ndoshta në minutën e 18-t Dibra duhej të kishte shënuar kur ka qenë vetëm me portierin, por gjuajti jashtë me kokë. Edhe dy raste të tjera, respektivisht për Byzhytin dhe Beqirin, nuk kanë prodhuar gol.

Në minutën e 37-të, miqtë shkaktuan drithërima, kur ishin fare pranë golit me anë të Cankës. Megjithatë, fundi i pjesës së parë ishte i bukur për vendasit, të cilët shënuan me anën të Miliçit, në minutën e 42-të. Pas pushimit, Besëlidhja e përqendroi lojën në mbrojtje të rezultatit, ndërkohë që miqtë u hodhën përpara, në kërkim të barazimit. Dibra kishte një mundësi dyfishimi të shifrave, ndërsa në minutën e 78-të ishte shtylla ajo që ndihmoi Besëlidhjen, duke ndalur gjuajtjen e Byzhytit.

Në këtë mënyrë mbyllet ky takim dramatik dhe Besëlidhja rikthehet te fitorja. Java e ardhshme do të jetë një test i fortë për synimet e lezhjanëve për t’u rikthyer në Kategorinë Superiore, pasi i bëjnë vizitë Besës, në Kavajë. Sidoqoftë, pasi kanë mundur një kundërshtar të fortë si Lushnnja, djemtë e Kullit tani janë plot besim për të marrë rezultat pozitiv në çdo fushë, pavarësisht skuadrës që do të kenë përballë.

Burimi: Sport Ekspres
Back To Top