Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Dibra premton kthesën në Sarandë: Nuk ka më gabime

Të mërkurën, ekipi lezhjan zhvilloi një ndeshje kontrolli brenda grupit, për të testuar formacionin që do të zbresë kundër Butrintit. Formacioni bazë tregoi se është i gatshëm për Superiore, ndërkohë që dhe stoli që disponon Besëlidhja është më lart se mesatarja e ekipeve të Kategorisë së Parë. Numri një i pankinës lezhjane, Ritvan Kulli, një rëndësi të madhe i ka kushtuar repartit ofensiv, i cili në fazën e dytë ka bërë gabime amatore, që i kanë kushtuar të paktën 6 pikë. Në ndeshjen e kontrollit, sulmuesi Miliç u shfaq i frikshëm në radhët e mbrojtjes kundërshtare, po ashtu dhe sulmuesi tjetër Dibra.

Edhe mesfushori Trajkoviç e bëri detyrën më së miri. Nëse zhvillohet kjo lojë edhe në Sarandë, Besëlidhja kthehet me rezultat pozitiv. Në prag të transfertës së radhës, sulmuesi Dibra tha për “Panorama Sport”: “Ekipi i fazës së dytë, dhe pse i rifreskuar me elementë cilësorë, nuk po i shfaq vlerat e veta të vërteta, sidomos në transfertë. Kjo ka bërë që të zbresim në klasifikim. Gjithsesi, janë përpara dhe 10 ndeshje, nga ku mundësitë i kemi për të avancuar në renditje. Këtë e mbështes te mundësia reale që disponojmë. Skuadra ka mjaft futbollistë cilësorë që bëjnë diferencën, por para portës kundërshtare po shfaqim shenja hutimi, gjë që na ka kushtuar jo pak. Drejt Sarandës udhëtojmë me bindjen se do t’i shfaqim vlerat tona të vërteta. Pra, Besëlidhja di të luajë futboll edhe në transfertë dhe di ta kërkojë golin e të shënojë. Jam i bindur se ndeshja në Sarandë do të jetë një autokritikë për ne sulmuesit”.

Burimi: Panorama Sport
Back To Top