Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Rikthehet sulmi titullar, Dibra do të jetë në fushë ndaj Lushnjës

Tashmë konfirmimi dhe forma e sulmuesit kryesorë të Besëlidhjes Arenc Dibra, e ka shtuar optimizmin në kampin lezhjan. Fitorja me Lushnjën është mundësia e vetme, për ta mbajtur ekipin në pozitat pretenduese dhe kjo i jep këtij takimi vlerat e një finaleje të vërtetë. Edhe shkodrani i sulmit, Dibra, do ta vlerësonte këtë sfidë, si një nga më të fortat dhe më të rëndësishmet për ekipin e Besëlidhjes. “Mungesën e kam përjetuar jo fort mirë”, do të niste prononcimin sulmuesi për gazetën. “Ndoshta nuk ka qenë mungesa ime që na ka munguar goli, atëherë kur na duhej më shumë se kurrë, por kur nuk ke mundësi ta ndihmosh ekipin, kjo ngarkesë shumëfishohet.

 Gjithsesi, ja ku jemi tani, në një nga takimet më të forta dhe ne kemi rastin dhe mundësinë që të rikuperojmë, duke ju afruar edhe një rivali të drejtpërdrejtë me fitoren, që ne e kemi taksativisht detyrë. E dimë që do të kemi përpara një skuadër të motivuar dhe ndër më të fortat, por kjo na jep forca që të besojmë, se i kemi të gjitha kapacitetet t’i mundim. Nuk jam euforik, kur them se fitorja do të jetë bindëse dhe nëse mund t’i mungojë goleada, jam i sigurtë që nuk do t’i mungojë spektakli. Do të jetë rasti që ta bindim kundërshtarin, të na falënderojë për paraqitjen. E dimë që do të kemi përpara ekipin realisht më të fortë, por ne do triumfojmë. Përsa i përket zotimit për të shënuar gol, ky nuk është ndonjë merak i madh i imi, pasi vlerësoj më shumë triumfin e skuadrës.

Fitorja na mban në garë dhe ne nuk mendojmë që të dalim objektivat deri në ndeshjen e fundit, aq më tepër që grupi është i karikuar dhe i motivuar, vetëm për të bërë më të mirën. Një avantazh më shumë, përpos kualitetit të grupit, është tifozeria jonë, e cila mund të jetë më besnikja, nga ato të të gjitha ekipeve. Gjithmonë ka qenë mbështetëse edhe atëherë kur ne nuk i kemi kënaqur apo zhgënjyer dhe në këtë takim do të jetë edhe rasti, që ne të bëjmë autokritikën e rezultateve të deritanishme, kryesisht të takimit të fundit. U bëjë thirrje tifozëve të mos mungojnë, se kemi nevojë dhe do t’i kënaqim”, ka përfunduar sulmuesi shkodran Arenc Dibra.

Burimi: Sport Ekspres
Back To Top