Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Sulmi i Besëlidhjes nën akuzë, asnjë gol në tri ndeshje

Në aneksin e stadiumit “Besëlidhja”, nën drejtimin e dyshes Kulli- Zenuni, vijojnë stërvitjet e zakonshme në kuadër të takimit të radhës me Luftëtarin. Kalendari i fazës së dytë i ka rezervuar skuadrës lezhjane këtë fundjavë një transfertë të vështirë në Gjirokastër. Besëlidhja, si një ndër pretendentet për t’u ngjitur në Superiore, afroi gjatë merkatos së janarit disa lojtarë cilësorë dhe me eksperiencë, të cilët në ndeshjet e deritanishme kanë rezultuar të suksesshëm. Pas barazimit në Elbasan, ku nuk munguan edhe polemikat e ndërsjella, Besëlidhja duket se po e harron atë çka ndodhi dhe po mendon seriozisht për sfidën e vështirë ndaj Luftëtarit. Pas anomalive që u panë në mesfushë gjatë fazës së parë, duket se ky ngërç për fazën e dytë është transferuar në sulm, kjo e vërtetuar nga golat e paktë të shënuar. Në tri takimet e fazës së dytë, Besëlidhja ka shënuar vetëm dy gola dhe këto në shtëpi ndaj Skraparit, të cilët u realizuan nga mesfushori Kaçi. Duke pasur parasysh se përforcimet e reja kanë synuar mesfushorë ofensivë, sërish rruga e rrjetës për sulmuesit e Besëlidhjes duket e largët. Megjithatë, duke pasur parasysh se lezhjanët nga ndeshja në ndeshje e kanë përmirësuar cilësinë e lojës, shpresohet që edhe në Gjirokastër t’ia dalin me sukses. Pas kësaj sfide, Besëlidhjen e pret një tjetër sfidë të vështirë në transfertë, ku do të luajë në Kavajë.

Burimi: Panorama Sport
Back To Top