Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, në Kavajë është ndeshja e fundit

Lezhjanët kanë bërë veç “detyrën”, me fitoren e radhës ndaj fqinjëve të Burrelit. Edhe pse me shumë mungesa, kjo nuk është ndier aspak në suksesin e saj, ku krahas trepikëshit, vendasit kanë bërë edhe një paraqitje të pëlqyeshme ndaj matjanëve. Po bashkë me fitoren, vendasit kanë fituar edhe dy futbollistë të A akademisë Besëlidhja, pasi paraqitjet e sulmuesve Arlind Nekaj dhe Ruben Danaj kanë lënë një përshtypje të mirë, si tek tifozeria, ashtu edhe tek stafi drejtues i saj.

Besëlidhja ka një tjetër transfertë në mesjavë, që ndoshta mund të jetë nga më të vështirat, atë të Kavajës ndaj Besës. Edhe futbollisti ballshiot i skuadrës lezhjane, Ervin Malasi, do të ishte në të njëjtin linjë, teksa do të vlerësonte fitoren me Burrelin si të merituar. “Kjo gjithsesi, duhet të shoqërohet edhe me atë të së mërkurës me Besën, që të marrë vlera të plota. E kishim vlerësuar maksimalisht takimin me Burrelin, duke ditur që në përbërje të burrelasve kishte kualitete me përvojë dhe tejet cilësorë. Tashmë kemi përpara një takim, që ndoshta vlen sa i gjithë sezoni për ne, pasi kemi rastin të tregojmë, që jemi një grup, i cili nuk e meriton të jetë në vendin e pestë, por së paku në të dytin.

Gabimet në transferta, si dhe ndëshkimet e gjyqtarëve kanë qenë jo pak përcaktuese, për këtë të situatë që kemi në renditje. Por tani kemi rastin, që të shkarkojmë gjithë “arsenalin” tonë, për të treguar se jemi një ekip superior. Besa është një ekip i madh i futbollit tonë, ndoshta edhe sot, për grupin e futbollistëve që ka në përbërje, nuk i takon që të jetë në këtë kategori, por kjo nuk na pengon që të shkojmë atje, për të kërkuar më të mirën e mundshme. Besojmë dhe shpresojmë, që është momenti të tregojmë forcën tonë”, ka përfunduar mesfushori Malasi.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top