Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, thjeshtë një skuadër “shtëpie”

Ashtu si dhe javën e lënë pas edhe në këtë anti-Gramsh, lezhjanët do të jenë të plotë, çka do të thotë se trajneri Kulli do t’i ketë në dispozicion të gjithë futbollistët. Takimi me Ilirinë tregoi edhe njëherë dobësinë finalizuese të ekipit të Besëlidhjes. Fitoret rutinë në Lezhë, e kanë kthyer ekipin me të drejtë në një skuadër “shtëpie”. Ndërkohë, tashmë kërkohet fitore në çdo fushë, duke filluar që këtë javë në Gramsh, pasi edhe skuadra është formatuar për një gjë të tillë. Edhe për trajnerin Kulli, duket se fitorja me Ilirinë ka sjellë një optimizëm dhe besim në grup: “Tashmë na del për detyrë, që të respektojmë kampionatin me korrektësi, duke besuar se kjo korrektësi do të na japi edhe mundësinë për të kërkuar më të mirën.

Në lojë janë edhe gjashtë takime dhe ne do kërkojmë vetëm maksimumin e pikëve në këto takime. Kemi një kalendar relativisht të favorshëm dhe besojmë, se duke i marrë takimet një nga një do tentojmë të grumbullojmë sa më shumë pikë. Takimet e transfertave kanë qenë “gangrenë” për ne, por për takimin e pritshëm do të përpiqemi ta prishim këtë ters, që na ka penalizuar jo pak. Edhe pse krijojmë raste të shumta, finalizimi ka qenë arma që na ka ndëshkuar. Gjendja e grupit është e mirë dhe le të besojmë, se në Gramsh ekipi do të zhbllokohet. E kam ndjekur ecurinë e ekipit të Gramshit dhe ka qenë shumë pozitive, së paku në fazën e dytë.

Kolegu Mustafaraj ka krijuar një grup simpatik, që ka ditur të marrë më të mirën e mundshme, madje ka befasuar, sidomos në transferta. Por ajo që do veçoja është, se ekipi i Gramshit ka qenë jashtë të gjitha aleancave, që jo pak qarkullojnë në këtë fund kampionati. Nga eksperienca ime edhe ambienti në Gramsh është sportiv dhe kjo na bën të besojmë, se atje do të japim më të mirën, pa qenë nën tension. Do kërkojmë që të ruajmë këtë frymë pozitive që mbizotëron në grup dhe kjo ruhet duke marrë rezultatin”, përfundon trajneri Kulli.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top