Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

“Do marrim hak ndaj Kukësit, s’harrojmë”

Besëlidhja vijon përgatitjet në kuadër të sfidës së radhës që do të luajë në fushën e vet ndaj Kukësit. Në këtë ndeshje, lezhjanët vijnë pas humbjes minimale që pësuan në Velipojë ndaj Adës vendëse. Edhe pse skuadra e Kullit dështoi në atë transfertë, ky takim ka kaluar dhe të gjithë kanë nisur të mendojnë për sfidën e radhës që luajnë ndaj Kukësit. Në ndeshjen e parë, Besëlidhja është mundur 2-0 në Kukës, e cila u kontestua shumë nga Besëlidhja, që ka pretenduar për njëanshmëri gjykimi në favor të vendësve. Takimi me Kukësin do të jetë një i fortë, pasi mendohet se do të ketë edhe shumë tifozë miq që do ta ndjekin ekipin e tyre.

Hakmarrja - Në një prononcim për “Panorama Sport”, mbrojtësi i majtë i Besëlidhjes, Bruno Kepi, shprehet optimist për sfidën ndaj kuksianëve dhe thotë se në të gjitha rastet lezhjanët do ta kapin Superioren. “Shkuam në Velipojë për tri pikët e radhës, por loja ra në ecurinë e shumicës së transfertave, nga ku pësuam gol që në pjesën e parë dhe nuk mundëm që të reagonim. Gjithsesi, edhe pse humbëm, nga vallja e ‘play-off’-it nuk dalim, por në futboll ndodh gjithcka. Për sa i përket sfidës me Kukësin, ne do të luajmë për fitoren e radhës në shtëpi. Kjo, pasi nuk mund ta harrojmë takimin e parë, në të cilin u mundëm në Kukës dhe ku nuk u pritëm mirë. Po bëjmë gjithçka për të fituar. Tifozeria e zjarrtë e meriton të shijojë një takim të bukur. Kukësi është një ekip në ngjitje dhe pa diskutim do të jetë debutuesi i Superiores, kjo është e qartë nga sasia e pikëve që ka grumbulluar. Për ndeshjen jam optimist, pasi ekipi është i kompletuar, sepse në Velipojë vuajtëm tri mungesa të rëndësishme nga ku morëm rezultat negativ”, – përfundon prononcimin e tij, Bruno Kepi. Ndërkaq, ekipi ka vazhduar edhe dje me stërvitjen e radhës. Trajneri Kulli i ka pasur të gjithë në dispozicion dhe i ka kushtuar më shumë rëndësi aspektit tekniko-taktik.

Çfarë ndodhi fazën e parë - Në ndeshjen e fazës së parë ndërmjet Kukësit dhe Besëlidhjes, e cila u fitua nga vendësit 2-0, miqtë kontestuan shumë ashpër gjykimin e takimit. Përveç zënkave në fushë ndërmjet futbollistëve pas ndeshjes, presidenti i lezhjanëve, Gjokë Noka, akuzoi për trukim të sfidës. Madje, kreu i Besëlidhjes u ankua në FSHF në lidhje me këtë ndeshje duke kërkuar ripërsëritjen e saj.
   
Back To Top