Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

FSHF-ja pret faktet për “teatrin” e Lezhës

Federata Shqiptare e Futbollit do të marrë masa për takimin Besëlidhja-Kukësi vetëm nëse nga të deleguarit e saj do të paraqiten shkelje për dyshimet për tolerime. Në fund të përballjes së luajtur në Lezhë, të 5 mijë tifozët që ndodheshin në stadium nisën të bërtisnin e të akuzonin për shitje të ndeshjes lojtarët e ekipit vendës. Më pas protesta e tyre vazhdoi duke bllokuar stadiumin e ekipit të Kukësit, si dhe rrugën para stadiumit. Ndeshja Besëlidhja- Kukësi e luajtur më 27 prill, u bë një teatër i vërtetë. Në fillim lezhjanët kaluan në avantazh 2-0, por më pas, në të dytën gjithçka u përmbys, e në fund miqtë fituan 3-4, me anë të një 11-metërshi të dhënë nga arbitri.

Prodani - Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Eduard Prodani, u shpreh se nëse nga Komisioni i Disiplinës do të paraqiten faktet që tregojnë për shkeljet e takimit midis Besëlidhjes dhe Kukësit (3-4), atëherë do të ketë masa për fajtorin. “Unë nuk jam në dijeni të asaj që ka ndodhur në Lezhë. Megjithatë, federata e futbollit ka disa struktura që veprojnë në organizimin e saj. Jam i sigurt që, nëse Komisioni i Disiplinës do të ketë fakte sa u përket tolerimeve të mundshme, atëherë do të marrë masa pa diskutim. Mendoj se gjithçka do të varet nga raportimet që të dërguarit tanë do të paraqesin për këtë ndeshje të luajtur”, – deklaroi Prodani në televizionin “Ora News”. Një prej drejtuesve të federatës kujtoi se me rregulloren e re çdo qytetar apo individ ka të drejtë që, nëse ka fakte, t’i paraqesë ato dhe nga strukturat e institucionit numër një të futbollit shqiptar do të hetohet e do të merren masa nëse akuzat rezultojnë të vërteta. Prodani shtoi se përgjithësisht, përballjet që ka dhuruar Kategoria e Parë kanë qenë të mira dhe me nivel. “Në këtë kategori ka pasur ndeshje të bukura, pasi marrin pjesë ekipe me traditë që janë rritur sa i përket nivelit, sepse synojnë të ngjiten në Superiore”, – përfundoi ai.

Çfarë ndodhi - Tifozët lezhjanë shpërthyen në revoltë pas përfundimit të 90 minutave të ndeshjes Besëlidhja-Kukësi. Në fillim rreth 5 mijë persona nisën të bërtasin “E shitët! E shitët!” në shkallët e stadiumit dhe më pas të organizuar ata dolën në hyrje të stadiumit, duke bllokuar rrugën. Kjo bëri që ekipi mik ta kishte të vështirë të largohej, gjë që u bë me ndihmën e policisë.
      
Back To Top