Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Java 28: Besëlidhja - Kukësi 3:4. Teatër i shëmtuar në Lezhë!

Skuadra e Ridvan Kullit, e mbështetur nga një numër i madh tifozësh, i kanë shfaqur hapur ambiciet e tyre që në vërshëllimën e parë të kryesorit Emirjon Sino. Hidhen totalisht në sulm, duke e kërkuar me ngulm golin, çka i detyron miqtë t’i përveshin mirë mëngët. Presingu asfiksues i lezhjanëve e ka bërë të vetën, duke u konkluduar me dy gola në pjesën parë.

Fillimisht ka realizuar kapiteni Florian Peqini, me kokë, në minutën e 23-të, pas një asisti të shkodranit Kaçi, ndërsa në minutën e parë shtesë të kësaj pjese, ky i fundit ka dyfishuar shifrat. 45 minutat e para mbyllen me një avantazh luksi për Besëlidhjen, 2-0, e cila shkon në dhomat e zhveshjes, në pushimin e ndeshjes, tepër të qetë dhe me një garanci jo të vogël për suksesin. Megjithatë, ka nisur shumë keq pjesa e dytë e kësaj supersfide, sepse miqtë kanë shkurtuar diferencën në minutën e 50-të me serbin Jevdjevic, ndërkohë që nuk ka vonuar edhe goli i barazimin 2-2, me autor Hamzain, në minutën e 57-të.

Këtu hapet ndeshja dhe Kukësi rifutet në lojë për të synuar 3 pikët e çmuara. Thuajse në të njëjtin itinerar kohor, Malo ka ndëshkuar për herë të tretë portierin Xhika, ndërkohë që vendësit janë thuajse inekzistentë, cka shkakton edhe irritim te tifozët lezhjanë, që nga njëra anë ironizojnë duke thirrur “Kukësi….Kukësi”, nga ana tjetër fillojnë të hedhin në fushë shishet plastike, që kanë nëpër duart. Ata kontestojnë sjelljen krejt ndryshe të Besëlidhjes në pjesën e dytë, e cila është shfytyruar në mënyrë të pakuptimtë.

Skenat dëshmojnë për një teatër, që përkthehet ndryshe në tolerim. Në minutën e 85-të ka barazuar Gjeorgjevic për vendësit, por vetëm tre minuta më pas Xhetani kthen ne golin e fitores penalltinë e akorduar për Kukësin nga kryesori Sino. Dy pjesë loje krejt të ndryshme, çka flet qartë për atë që është luajtur në paskuinta. “Rrahja e gjoksit” para ndeshjes nga stafi dhe lojtarët e Besëlidhjes është harruar tashmë. Ajo ka funksionuar vetëm për 45 minuta, kur kuksianët kanë përjetuar vërtet një betejë tepër të vështirë. Aq ka mjaftuar për vendësit, si mundësi hakmarrjeje për atë që u konsumua në fazën e parë, sipas lezhjanëve.

Besëlidhja i ka humbur tashmë shanset për t’u ngjitur direkt në Superiore, sepse dy vendet e para janë të paarritshme për të, kështu që e ka ndarë mendjen se duhet t’i nënshtrohet “play-out”-it. Me një fjalë, tri pikët e sotme për lezhjanët nuk ishin jetike, nuk është se rregullonin, as prishin ndonjë gjë në këtë fat të skuadrës së Kullit, por si “gjemb në mish” për ta kishte mbetur ajo që u rezervua karshi tyre në Kukës, ndeshjen e parë të këtij kampionati. Duke mundur kuksianët, Besëlidhja u duk se po gëzonte dy qytete njëherësh, Gjirokastrën dhe Lushnjën, por ky iluzion është shuar në pjesën e dytë.
 
Back To Top