Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Jemi të pathyeshëm, Kukësi e di fundin…”

Besëlidhja dje zhvilloi seancën e fundit stërvitore përpara ndeshjes së sotme ndaj Kukësit. Në takimin e fazës së parë lezhjanët u mundën me rezultatin e pastër 2-0 dhe tashmë ekipi është gati për hakmarrje. I gjithë stafi i Besëlidhjes, i kryesuar nga Ritvan Kulli, është i impenjuar maksimalisht, që skuadra ta fitojë këtë sfidë duke treguar edhe një herë se është e pathyeshme brenda fushe.| Kulli - Numri një i pankinës lezhjane, Ritvan Kulli, në një prononcim për “Panorama Sport” thotë: “Dihet që ne u larguam përfundimisht nga objektivi, pra për t’u ngjitur në Superiore direkt, por jemi në vallen e ‘play-off’-it dhe po luftojmë që të jemi sa më lart në renditje, për t’u përballur me ekipet e fundit të Superiores.

Sot kemi përballë një ekip që thuajse e ka kapur Superioren, ndaj dhe kujdesi duhet të jetë maksimal, që të vijojmë traditën e fitoreve në shtëpi, për të forcuar pozitat tona. Më ngroh fakti që të gjithë futbollistët i kam në dispozicion, ndaj dhe ndërtimin e një formacioni fitues nuk e kam të vështirë. Gjatë gjithë javës stërvitja ka synuar pikërisht në eliminimin e gabimeve të vërejtura në ndeshjet e kaluara dhe sidomos ato gabime që çuan në pësimin e golit në Velipojë. Tashmë dihet botërisht se Besëlidhja deri këtu ka ardhur vetëm me mundin dhe djersën e saj, ndaj dhe besoj në fitoren e radhës kundër Kukësit. Deri tani, Besëlidhja i ka besuar potencialit që ka. Ne nuk na ka dhuruar kush qoftë edhe një pikë të vetme, përkundrazi veç çfarë kemi lënë nga gabimet amatoreske të ndonjë futbollisti. Prandaj jam i bindur se do të fitojmë”, – përfundon Kulli.
 
Back To Top