Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Kapiteni ndez sfidën: Në Lezhë s’fiton kush

Atmosfera e supersfidës së Kategorisë së Parë mes Besëlidhjes dhe Kukësit që do të luhet të shtunën, është shumë e nxehtë. Të parët, që kanë filluar përplasjet kanë qenë tifozët respektivë, që në forumet online kanë replikuar mes tyre, ndërsa lezhjanët duke lënë mënjanë gjithçka, i kanë kërkuar ekipit të tyre fitore të padiskutueshme. Ndërsa në prag të këtij takimi, në një intervistë për “Panorama Sport”, kapiteni i Besëlidhjes, Florian Peqini, tregon emocionet e këtij takimi.

Si e përjeton një kapiten ndeshjen më të rëndësishme të sezonit?

Ndihem tepër i qetë, pasi e kemi pritur me padurim këtë takim për të treguar vlerat tona të vërteta, si dhe për të treguar se jemi një ekip që meritojmë të luajmë në Superiore, pavarësisht vendit në tabelën e klasifikimit. Psikologjikisht unë dhe lojtarët e tjerë të skuadrës jemi të qetë, pasi humbja në Velipojë na nxori jashtë gare për një kalim direkt një kategori më lart. Jemi në një moment kur Kukësi thuajse ka prenotuar kalimin në Superiore.

Si e parashikoni rezultatin e këtij takimi?

Në sport dhe, për më tepër në futboll, është shumë e vështirë të parashikohen gjërat, por ne do të luajmë lojën që kemi luajtur vazhdimisht në shtëpi para tifozerisë. Edhe me Kukësin jam i bindur se do të vijojë tradita. Kukësi është një ekip që luan në grup, ndaj dhe ka rezultate, për këtë i urojmë suksese të mëtejshme edhe në Superiore.

Ndërkohë Besëlidhja edhe këtë sezon në një ndeshje “play-off”-i…

Është e vërtetë, megjithatë shpresoj që historia të mos përsëritet. Besoj se sezonin e ardhshëm do të jemi në elitë, pasi jemi një skuadër që kemi treguar futboll të bukur dhe të pastër. Por fjalën e fundit do e thotë fusha.
 
Back To Top