Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Noka: Besëlidhja po masakrohet nga gjykimi

Presidenti Gjokë Noka, thekson se gjyqtari Janku u bë faktor në humbjen që skuadra e tij pësoi në Kavajë. Edhe pse është pranuar me sportivitet humbja me Besën, presidenti i Besëlidhjes, Gjokë Noka, sqaron opinionin sportiv lezhjan për ecurinë e këtij takimi. Ai thekson se gjykimi ka qenë i njëanshëm dhe se Besëlidhja po penalizohet përgjithësisht nga gjyqtarët. “Loja nuk ishte në lartësinë e duhur, por, pas avantazhit të Besës, rrjedha ndryshoi, duke u ndikuar edhe nga gjykimi.

Mbrojtësi ynë, Stojkoviç, u shty nga Bubeqi dhe humbi ekuilibrin, duke e dërguar topin në portën tonë. Kjo ndodhi në sy të gjyqtarëve, të cilët ishin pranë aksionit, pasi krosi erdhi nga goditja e këndit. Më vjen keq, por Besëlidhjen po e masakrojnë gjyqtarët. Albano Janku e ka privatizuar gjykimin. Edhe pse është në prag të dorëzimit të bilbilit, nuk harroi të na penalizojë.

Kemi prova të pakontestueshme, por këto nuk i merr askush në konsideratë. Kështu ndodhi edhe në ndeshjen e Kukësit, ku gjykimi e prishi totalisht lojën. Besa dhe Besëlidhja jan dy ekipe, që tradicionalisht shkojnë mirë.

I jemi mirënjohës stafit të Besës dhe veçanërisht presidentit Bizhdili, sepse na respektuan dhe çdo gjë shkoi mirë, pavarësisht rezultatit, që u prodhua më shumë nga gjykimi skandaloz. Gjithsesi, Besës i uroj suksese,” – është shprehur presidenti Noka.

Ndëshkimi Më tej ai ka sqaruar edhe momentin e zbritjes së ekipit nga autobusi. “Po, është e vërtetë që futbollistët, me urdhërin tim, kanë zbritur nga autobusi. Nuk e kapërdiva dot atë autogol. Shoferi, pa urdhërin tim, i ka marr pas 20 minutash, duke i çuar në Lezhë, ndaj dhe e kam penalizuar edhe shoferin.

Futbollistët e Besëlidhjes jan më të paguarit e kategorisë së parë dhe kam qenë korrekt me ta. Për humbjen në Kavajë dënimi ishte ky që bëra, edhe pse lamë 3 pikë. Përsëri jemi në “binarin” e superiores,” – ka përfunduar presidenti Noka.
Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top