Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Noka: Ja aleancat që na ndëshkuan si ekip

Sezonin e kaluar ishte shumë pranë Superiores. Por, në ndeshjen e “play-off”-it Besëlidhja e pati të vështirë kundër Dinamos. Historia përsëritet dhe lezhjanët do të luajnë sërish në “play-off”. Matematikisht, vendi i dytë është i kapshëm por praktikisht i vështirë për t’u arritur. Megjithatë, presidenti i Besëlidhjes, Gjokë Noka, është i bindur se skuadra që financon do të ngjitet në Superiore. I trembet vetëm aleancave dhe tolerimeve. Ndryshe, ai i quan poshtësira. “E di që duhej të ishim minimumi në vendin e dytë, por poshtërsitë që po ndodhin në futbollin shqiptar na kanë penalizuar. Jua shpjegoj të gjitha …” shprehet Noka.


Vetëm tri javë nga fundi, si e vlerësoni skuadrën e këtij sezoni?

Të tregohem i sinqertë, meritonim minimalisht të renditeshim në vendin e dytë. Por, duke parë tolerimet dhe aleancat, është e vështirë. Më shpjegoni pak, si ka mundësi që Kukësi të fitojë lehtësisht në Ersekë, apo Himara të marrë trepikësha që as nuk i kishte ëndërruar në Mamurras dhe Velipojë. Ndërsa ne, çdo pikë që kemi marrë këtë sezon, e kemi arritur me meritë. Por, po ju them edhe diçka, arbitrimi na ka masakruar.


A jeni i kënaqur nga paraqitja e ekipit?

Po, mund të them se jam i kënaqur. Të gjithë lojtarët kanë dhënë maksimumin e tyre në çdo takim. Nuk mund të fajësoj asnjë prej tyre që renditemi në këtë pozicion. Jua thashë më lart se kanë ndikuar faktorë të jashtëm që nuk arritëm të kapim vendin e dytë. Kolonia serbe, siç njihet nga të gjithë, ka qenë pika kyçe për ekipin. Gjithashtu, edhe futbollistët e tjerë e kanë shpërblyer besimin ndaj tyre.


Të shtunën do të prisni Kukësin, në një kohë që kujtojmë se ndeshja e fazës së parë është kontestuar ashpër nga ju. Si e vlerësoni sfidën e fundjavës?

Është e vërtetë që atë takim e kemi kontestuar shumë dhe kemi hasur probleme. Tani mendoj se ka ardhur momenti të kthejmë reston. Në fushën tonë i kemi fituar të gjitha takimet, madje kemi pësuar vetëm një gol. Kam bindjen e plotë se do të fitojmë ndaj Kukësit, dhe nuk ka arsye që të dështojmë. U bëj thirrje të gjithë tifozëve lezhjanë që të jenë sa më të shumtë në numër për të shijuar fitoren ndaj kuksianëve.


Në opinion dhe në komentet mes tifozërive është krijuar ideja se mund të ketë tolerime nga Besëlidhja. Si president i lezhjanëve, a garantoni që skuadra juaj do të luajë pastër?

Ata që janë mësuar me aleanca dhe poshtërsi, le të vazhdojnë të flasin. Unë ju garantoj se do të jetë Besëlidhja që ka qenë gjithmonë, super e motivuar dhe e bindur për të arritur fitoren. Asnjëherë nuk jemi bërë palë me kundërshtarët.


Cilën prej skuadrave të Superiores preferoni në “play-off”?
Të gjitha janë ekipe të forta dhe nuk mund të përzgjedh asnjë. Vetëm ju siguroj se Besëlidhja do të arrijë të ngjitet në Superiore.
 
Back To Top