Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Portier dhe goleador, Dashamir Xhika drejt rekordeve

Besëlidhja në 22 javë kampionat ka pësuar 8 gola, të gjithë në transfertë. Një shifër e vogël dhe kjo falë gardianit Dashamir Xhika që po shkon drejt rekordit “Guinnes” për sa u përket golave të pësuar, por në një kohë ka shënuar dy gola me 11-metërsh dhe pritur dy të tillë. Goleador të mirëfilltë Besëlidhja nuk ka deri tani, ndërsa sulmuesi kryesor Aleksandër Miliç ka shënuar 4 gola. Portieri Dashamir Xhika ka rezistuar plot 1440 minuta pa pësuar gol në fushën e vet, nga të cilat 1080 me fitore dhe 360 me barazim, 0-0.

Si ju lindi dëshira për futboll dhe, për më tepër, për portën?

Që fëmijë kam ëndërruar që të bëhem dikush dhe ju përkushtova futbollit, por më shumë nga të gjitha më shumë të isha portier, duke u frymëzuar nga gardianët me emër si të huaj ashtu dhe shqiptar.

Cilët janë portierët që keni për idhull dhe ju kanë frymëzuar më shumë, si të huajt po ashtu dhe shqiptarët?

Për mua nga shqiptarët është Orgest Shehi, i cili sot ruan portën e Skënderbeut e më ka zbuluar dhe talentin si portier. Ndërsa nga të huajt është Bufon.

Ju keni plot 1440 minuta që nuk keni pësuar gol në fushën tuaj, cili është sekreti juaj?

Këtë ia dedikoj gjithë ekipit pa përjashtim, por në veçanti mbrojtjes që, për mendimin, është një barrikadë e pakapërcyeshme. Për mua, e rëndësishme është që deri tani para tifozerisë lezhjane nuk kemi pësuar asnjë gol. Besoj se kjo do të vijojë deri në fund të kampionatit. Nga java në javë ambicia për ta mbyllur këtë kampionat pa pësuar gol në Lezhë, besoj se po më realizohet. Adrenalina më është ngritur në maksimum.

Keni pritur dy penallti, por keni shënuar edhe dy gola për Besëlidhjen nga 11- metërshi. Si jua besuan goditjen nga pika e bardhë?

Të them të drejtën, marrja përsipër e gjuajtjes së penalltive është një risk, por gjatë seancave stërvitore duke u stërvitur me portierin rezervë, pjesën më të madhe të goditjeve nga pika e bardhë i kam shënuar. Prandaj dhe trajneri m’i ka besuar, të cilin falë Zotit deri tani nuk e kam shpërdoruar. Kjo është shumë e rëndësishme për mua, ndërsa për sa i përket pritjes së penalltive, kjo është detyra ime.

Jeni në vend të pestë, por keni edhe 8 ndeshje për të zhvilluar. Sa i bindur jeni për kapjen e Superiores direkt?

Objektivi ynë që në fillim të kampionatit është i qartë, por që në ndeshjen me Kukësin dhe ndonjë tjetër, gjykimi ka qenë i njëanshëm. Kjo na ka lenë këtu ku jemi, por dhe mosshënimi në transfertë, kur kanë qenë të gjitha mundësitë. Edhe pse jemi në vend të pestë, nuk jemi shumë larg vendit të dytë, më pak se pikët e dy ndeshjeve, matematikisht në lojë janë dhe 24 pikë që do të ndahen në 8 ndeshje. Po u treguam më të kujdesshëm se deri tani dhe pragmatist edhe në transfertë, shumë takime i fitojmë pa diskutim.

Dhe së fundi. Si e kaloni kohën e lirë dhe sa jeni adaptuar me Lezhën?

Lezha më pëlqen shumë. Është një qytet shumë i mirë dhe tifozeria është shumë e mirë, një nga më të mirat në Shqipëri.
Burimi: Panorama Sport
Back To Top