Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Stojkoviç del garant për ngjitjen e Besëlidhjes në Superligë

Qendërmbrojtësi i Besëlidhjes, serbi Aleksandër Stojkoviç, autori që ngriti siparin e goleadës lezhjane, në një bisedë për “Panorama Sport” u shpreh i kënaqur për fitoren e thellë të arritur ndaj kolonjarëve. “Ndeshja e së mërkurës ndaj Gramozit modest ishte një sfidë spektakolare, ku ekipi tregoi vlerat e tij. Që në minutën e parë lojën e kontrolluam ne, por çuditërisht ofensiva jonë dështonte para portës kundërshtare, madje dhe pa portier në portë nuk arritëm të shënonim. Mirëpo, pas atij krosimi mjeshtëror të Kaçit në korne, që më takoi mua ta kthej në gol, loja mori një rrjedhë krejt ndryshe nga sa e kemi parë ekipin këtë sezon.

Të gjithë futbollistët ishin të impenjuar maksimalisht për të bërë detyrën dhe ekipi funksionoi më së miri. Po ashtu edhe skema e re taktike i dha frytet e veta duke u shënuar plot 7 gola. Për trepikëshin e radhës në fushën tonë ishim më se të sigurt, pasi dhe takimin e parë në Ersekë e kishim fituar. Mirëpo, kjo fitore e thellë është më shumë se trepikëshi, sepse plasi ‘syri i keq’ që na pat ndjekur si hije në pjesën më të madhe të takimeve. Që me fitoren e arritur në Gramsh, pavarësisht se minimale, na motivoi psikologjikisht, pasi treguam se dimë të fitojmë dhe në transfertë, madje pa pësuar. Jam tepër i lumtur që shënova i pari, pasi pata privilegjin e hapjes së një spektakli goleade që ultrasve lezhjanë u ka munguar që pas ndeshjes me Elbasanin. Gjithsesi, edhe pse vonë, por treguam se jemi të gatshëm për Superiore”.
Burimi: Panorama Sport
Back To Top