Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, në Lezhë nisin ethet e “play off”-it

Besëlidhja edhe pse mori tri pikë në tavolinë javën e fundit për shkak se nuk u paraqit Vlora, nuk shkoi dot më lart se vendi i pestë. Por kjo e çoi në “play off” me Tomorrin. Ekipi lezhjan, i cili në pjesën dërmuese të kampionatit ishte pretendenti kryesor për t’u ngjitur direkt në Superiore, në përfundim mbeti në vorbullën e ndeshjes shtesë. Pesë javë nga përfundimi i kampionatit Besëlidhja i besoi ndeshjes shtesë, pasi me pikët e grumbulluara nuk mund të zinte njërin nga dy vendet e para në klasifikim, çka do ta ngjiste automatikisht në Superiore. Sa i përket kësaj përballjeje delikate, drejtuesit teknikë janë mobilizuar për të marrë një rezultat pozitiv, që automatikisht do t’i bashkonte me më të mirët. Në ndeshjet e fundit pjesa më e madhe e titullarëve ka qenë të ulur në stol për të qenë të gatshëm për “play off”-in, nga ku besojnë se këtë edicion do të arrijnë objektivin për t’u ngjitur në Superiore. Edhe sezonin e kaluar ekipi lezhjan u rendit në zonën e “play off”-it, por fatkeqësisht u ndal nga Dinamo. Kjo e fundit këtë sezon do të luajë në Kategorinë e Parë. Këtë radhë këtu në Lezhë shpresohet për një rezultat pozitiv me Tomorin, mbështetur edhe në paraqitjen e skuadrës në pjesën dërmuese të kampionatit. Numri një i pankinës lezhjane, Ritvan Kulli, është i impenjuar maksimalisht në përgatitjet e ekipit të tij për të treguar vlerat e vërteta.
     
Back To Top