Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Formula e kampionatit mund të ndryshojë. Përsëri me 10 skuadra

Në një të ardhme të afërt, priten ndryshime esenciale në futbollin elitar në Shqipëri. Klubet e mëdha kanë nisur të mendojnë për këtë. Më shumë para të arkëtuara, më shumë ndeshje të mëdha dhe më pak skuadra, në atë që quhet Kategoria Superiore. Në sezonin 2013-2014, formula e kampionatit mund të ndryshojë, por ende nuk ka asgjë zyrtare për këtë. Ky opsion prej disa kohësh ka nisur të diskutohet. Drejtuesit e klubeve dhe drejtues të lartë në FSHF, po mendojnë për këtë mundësi. Së fundmi, ky projekt ka nisur të hartohet dhe tashmë diskutimi ka marrë trajta konkrete.

Të mëdhatë - Në FSHF kërkesa për ndryshimin e formulës ka ardhur në rritje. Klubet e mëdha janë inisiatorët e kësaj ideje dhe kërkojnë me ngulm që ky ndryshim të bëhet. Në krahun tjetër, klubet e vogla, ndihen të rrezikuar,a pasi ekzistenca në 10-tshen më të mirë, do të jetë shumë më e vështirë se në formulën aktuale të kampionatit. Por, të mëdhatë nuk kanë ndërmend të bëjnë llogaritë e skuadrave të vogla. Nëse ky ndryshim realizohet, të ardhurat nga e drejta televizive do të rriten. Në Superiore do të krijohet mundësia për pjesëmarrjen e qyteteve të mëdha dhe kjo do të bëhet e mundur duke rritur standartet e liçensimit. Për rrjedhojë, përballjet mes skuadrave do të jenë më interesante dhe do të arrihet tek masivizimi i këtij sporti.

Të ardhurat – 600 mijë euro kanë përfituar klubet e Kategorisë Superiore nga e drejta televizive për sezonin 2011-2012. Po kaq do të jetë edhe në sezonin pasardhës. FSHF i ka komunikuar klubeve lajmin se nëse skema ndryshon, bëhet me 10 skuadra, automatikisht të ardhurat do të rriten. Nga 600 mijë euro, klubet e Superiores do të ndajnë mes tyre 1 milionë euro. Një shumë kjo e konsiderueshme, duke llogaritur gjëndjen e vështirë financiare që po kalojnë klubet shqiptare.

Komiteti – Në mbledhjen e rradhës të Komitetit Ekzekutiv do të diskutohet projekt-plani për ndryshimin e strukturës në Kategorinë Superiore. Vetë FSHF do të propozojë formulën e re me 10 skuadra, për të cilën më pas do të vendosin antarët e komitetit nëpërmjet votimit. Mbledhja e komitetit nuk është përcaktuar ende se kur do të zhvillohet. Drejtuesit e klubeve kanë nisur të konsultohen me antarë të komitetit dhe drejtues të lartë në FSHF për këtë propozim dhe mundësitë e realizimit.

Skema – Por si do të luhet vitin e ardhshëm nëse miratohet ndryshimi strukturës për Superioren në sezonin 2013-2014?! Është menduar edhe për këtë. Nëse bëhet me 10 skuadra, vitin e ardhshëm 5 ekipe do të jenë të detyruara të bien direkt në një kategori më poshtë, 2 do të ngjiten nga Kategoria e Parë, ndërkohë që skuadra e vendit të gjashtë në Superiore, do të luaj në plejaut kundër vendit të tretë në një kategori më poshtë. Nëse vendoset kështu, shumë klube rrezikojnë dhe pritet të bëjnë rezistencë për të mbrojtur interesat e tyre. Përsa i përket të gjitha ndryshimeve, ende asgjë nuk është zyrtare. Palët e interesuara për t’a vënë në jetë këtë projekt, po punojnë për të gjetur zgjidhjet më të mira.

600 - mijë euro në sezon përfitojnë skuadrat e Kategorisë Superiore nga shitja e të drejtës televizive.

1 - milionë euro do të përfitojnë klubet e Superiores, nëse ndryshon formula e kampionatit duke reduktuar në 10 numrin e skuadrave pjesëmarrëse.

14 Skuadra - Dhe me dy faza do të jetë sezoni pasardhës. Ndryshimet pritet të bëhen një vit më vonë.

5 - Skuadra mund të zbresin direkt nga Kategoria sezonin pasardhës nëse në 2013-2014 kampionati është me 10 skuadra.

2 - Skuadra ngjiten nga Kategoria e Parë nëse kampionati bëhet me 10 ekipe.

1 - Skuadër vjen nga një ndeshje shtesë mes një ekipi superior dhe një ekipi të Kategorisë së Parë

Si rriten të ardhurat - Duke reduktuar numrin e skuadrave pjesëmarrëse në Superiore do të krijohet mundësia që ndeshje të mëdha të ketë më shumë. Tirana, Skënderbeu, Flamurtari, Vllaznia e Teuta do të luajnë me tepër me njëra tjetrën dhe shikueshmëria në stadium apo nëpërmjet televizorit do të jetë më e madhe. Rritja e standarteve të liçensimit do të sjellë për pasojë një fuboll më cilësorë. Do të luhet në kushte më të mira, me më tepër spektatorë dhe produkti jo vetëm që do të jetë më i mirë por do të shitet më shtrenjtë.

Kategoria e Parë - Veç ndryshimeve në Kategorinë Superiore, ndryshime pritet të ketë edhe në Kategorinë e parë. Nëse futbolli elitar bëhet me 10 skuadra, edhe ai i një niveli më poshtë, mendohet të bëhet me 10 ekipe. Është menduar të ketë dy kategori të forta dhe në këtë mënyrë, do të rritet gara dhe për pasojë edhe niveli futbollit në rang kombëtar.

Skuadrat e vogla - Nëse klubet e mëdha janë inisiatorë dhe partizan të idesë për ndryshimin e skemës në Kategorinë Superiore, klubet e vogla mendojnë ndryshe. Ndjejnë rrezikun që i kanoset nga reduktimi i numrit të skuadrave në futbollin elitar, duke menduar vështirësinë për të mbijetuar, aty ku të mëdhatë e kanë më të thjeshtë. Drejtues të klubeve të vogla, pritet të lobojnë fort në FSHF dhe Komitetin Ekzekutiv. Rritja e standartave të liçensimit dhe përballja jo në kushte të barabarta me klubet e qyteteve të mëdha, i bën të voglat të trëmben.

36 ndeshje apo tre faza, dilema e një strukture të tillë - Në sezonin 2013-2014, Kategoria Superiore mund të përbëhet nga 10 skuadra. Palët e interesuara për këtë ndryshim, po punojnë për të gjetur zgjidhjen e duhur dhe formulën më të mirë. Katër faza, njësoj si disa vite më parë, është një ide, por 36 ndeshje brënda një sezoni vetëm në kampionat janë shumë. Opsion tjetër është të të luhet me tre faza, apo në një rast tjetër, mund të luhet me dy faza e në fund të zhvillohen ndeshjet e pleiofit, për të përcaktuar skuadrën kampione dhe skuadrat që bien në Kategorinë e Parë.

Katër të huaj në fushë? Kjo pikë mund të ridiskutohet! - Është një vendim i Komitetit dy vite më parë. Nga njëra anë është dëshira e FSHF për të prodhuar sa më shumë futboll shqiptar, nga ana tjetër tendenca e klubeve për të bërë merkato


6 Të huaj - në fushë janë lejuar sezonin e shkuar, ndërsa vetëm dy edicione më parë numri i tyre ishte super i ekzagjeruar, me tetë lojtarë në fushë

Në mbledhjen e rradhës të Komitetit Ekzekutiv, do të diskutohet dhe vendoset më pas për reduktimin ose jo të numrit për lojtarët e huaj që do të lejohen në fushë. Dy vite më parë, drejtuesit e klubeve vendosën të ulin nga 8 në 6 numrin, e të huajve për t’a reduktuar më pas në vetëm 4 të tillë. Ky rregull, i vendosur në atë kohë, ka prishur tani humorin e klubeve. Në mbledhjen e Komitetit do të diskutohet për këtë çështje. FSHF, duke parë interesat kombëtare, dëshiron dhe ka tendecën të ulë numrin e lojtarëve të lejuar në fushë për t’I dhënë përparësi lojtarëve shqiptarë, ndërkohë që klubet mendojnë ndryshe. Duke e parë futbollin si biznes, drejtuesit mendojnë të përforcojnë skuadrat e tyre me futbollistë cilësorë të marrë nga jashtë, por për t’a bërë këtë si duan, nevojitet që numri i lojtarëve jo shqiptarë të lejuar në fushë të jetë më i madh se katër.
 
Back To Top