Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Kulli i shqetësuar, Besëlidhja çalon në transferta

Vijojnë seancat stërvitore të Besëlidhjes në kuadër të ndeshjes së “play-off”-it. Ekipi lezhjan, edhe pse u paraqit mjaft mirë këtë sezon, pasi në shtëpi ka pësuar vetëm një humbje, në mbyllje të kampionatit nuk mundi që të shkojë më larg se vendi i pestë. Për të arritur objektivin, rikthimin në Superiore, i duhet të fitojë edhe një ndeshje shtesë me Tomorin për të përcaktuar përfundimisht kategorinë në të cilën do të luajë sezonin që vjen. Numri një i pankinës lezhjane, Ritvan Kulli, një vëmendje të veçantë po i kushton repartit ofensiv, pa përjashtuar edhe mbrojtjen dhe mesfushën. Duhet thënë se mesfusha ka çaluar më shumë në fazën e dytë. Siç dihet, ndeshja e “play-off’- it zhvillohet në fushë asnjanëse, ndaj dhe përgatitja psikologjike, përveçse asaj teknike, taktike e fizike ka rëndësinë e vet, pasi Besëlidhja këtë sezon në transfertë ka marrë vetëm dy fitore. Duke u nisur nga potenciali mjaft i pasur i ekipit lezhjan, shpresat për një fitore ndaj Tomorit janë reale, por duhet shumë punë parapërgatitore, pasi luhet veç një takim i vetëm. Çdo gabim është fatal, ndaj dhe kësaj supersfide i duhet kushtuar i gjithë potenciali i drejtuesve teknikë. Edhe vetë futbollistët janë të impenjuar maksimalisht, pasi të gjitha energjitë po ua kushtojnë seancave stërvitore, në mënyrë që ditën e sfidës të jenë në lartësinë maksimale të tyre. Lezhjanët janë optimistë për objektivin dhe besojnë në një rezultat pozitiv ndaj Tomorit, dhe këtë e mbështesin në eksperiencën e miqësoreve të zhvilluara në pauzën ndërmjet fazave me ekipet e Superiores. Të gjitha këto të fundit i kanë luajtur në transfertë.
 
Back To Top