Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Kulli provon skemat, mendohet edhe për penalltitë

Besëlidhja zhvilloi dje një ndeshje kontrolli me rezervat, për të qenë të gatshëm për sfidën e së shtunës ndaj Tomorit që do të luhet në “Qemal Stafa”. Lezhjanët shkojnë në këtë sfidë “play-off”-i të bindur për fitore, kjo e mbështetur në potencialin teknik, taktik e fizik që kanë. Duke e ditur se është vetëm një takim, vëmendje e veçantë po tregohet në përgatitjen fizike të ekipit, pasi nga një rezultat i barabartë nevojiten edhe 30 minuta shtesë për të përcaktuar ekipin që do të luajë në Superiore. Përveç përgatitjes fizike, pa përjashtuar edhe atë taktike e teknike, një vëmendje të veçantë trajneri Ritvan Kulli po i kushton edhe portierit, pasi të papriturat në futboll ngjasin më shumë se kudo, nga ku mendohet edhe për mbërritjen te penalltitë.

Dashamir Xhika, gjatë gjithë këtij sezoni ka qenë në lartësinë maksimale të një portieri dhe ka qenë shumë rezultativ, pasi ka pësuar më pak gola edhe se portierët e Superiores. Madje, ka shënuar edhe dy gola me penallti. Ekipi lezhjan ka nisur t’i numërojë mbrapsht ditët deri në sfidën “play-off”. I gjithë komuniteti sportiv në Lezhë thotë se Besëlidhja e meriton të jetë pjesë e Superiores pasi në pjesën më të madhe të javëve të sezonit ka qenë në krye ose në vend të dytë në tabelën e klasifikimit, një barometër tepër pozitiv për një ekip elite. Por, pos atyre çfarë është deklaruar apo hamendësuar, gjithçka do të mësohet të shtunën në përfundim të takimit. Pritet që skuadra lezhjane të mbështetet në këtë sfidë nga një numër i madh tifozësh që do të jenë të shtunën në stadium.
Back To Top