Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Mbyllen dyert, tifozë e gazetarë s’lejohen në stërvitje

Besëlidhja po vijon me intensitet përgatitjet, në kuadër të sfidës të së dielës, që do të zhvillojë në transfertë ndaj Mamurrasit. Dje, lezhjanët zhvilluan një ndeshje kontrolli brenda familjes, por me dyert e stadiumit të mbyllura për tifozerinë dhe mediat. Edhe fanatikasit e Besëlidhjes që e ndjekin në të gjitha ditët ekipin e tyre, dje mbetën jashtë kangjellave të stadiumit, ndërsa pjesa dërrmuese e tyre po shkojnë drejt bojkotit. Ndue Lala, një nga tifozët e vjetër lezhjanë, në lidhje me një gjest të tillë të drejtuesve tha: “Ka të paktën 60 vjet që e ndjek ekipin lezhjan në të gjitha aktivitetet dhe, për më tepër, ka 20 vjet qëkur kam dalë në pension, e kam ndjekur ekipin në të gjitha ditët e stërvitjes, por dyert e stadiumit kanë qenë të hapura. Jam i habitur dhe njëkohësisht i indinjuar për gjithçka që po ndodh. Është hera e parë për të paktën 60 vjet që ndodh një gjë e tillë”. Në pamundësi për të qenë prezent për të disatën herë në ambientet e brendshme, për shkak të mbylljes së dyerve, u detyruam ta ndjekim seancën stërvitore nga karabinaja e një pallati në ndërtim. Brenda fushës gjithçka ishte në normalitet të plotë, ekipi vijoi ndeshjen e kontrollit nën drejtimin e trajnerit Ritvan Kulli dhe ndihmësit të tij, Ladion Zenuni. Në këtë ndeshje kontrolli me rezervat, ekipi i Besëlidhjes ishte në lartësinë e duhur, ku shpresohet që kështu të luajë dhe në Mamurras, nga ku të pretendojë për fitore.
    
Back To Top