Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Përcaktohet 18-shja, ka dilema për formacionin

Vijojnë intensivisht seancat stërvitore të ekipit lezhjan në kuadër të supersfidës ndaj Tomorit. Në një ndeshje kontrolli që zhvilloi dje, Besëlidhja shpalosi vlerat e vërteta dhe tregoi formën e vet më të mirë. Grupi funksionoi në mënyrë perfekte, ku të gjitha repartet e kryen më së miri detyrën, e ku nuk mungoi për asnjë çast spektakli. Porta e Besëlidhjes është e “kyçur” me çelësin e Dashamir Xhikës që është shumë vështirë të hapet, kjo mbështetur edhe në sasinë e golave që ka pësuar gjatë gjithë këtij sezoni futbollistik. Reparti i mbrojtjes shpalosi vlerat e vërteta të një barrikade të pakapërcyeshme, çka do të thotë për ekipin kundërshtar se zona e rreptësisë lezhjane do të quhet zonë e ndaluar.

Edhe reparti i mesfushës që fazën e dytë u blindua me futbollistë tepër cilësorë, është në ditët më të mira të mundshme, nga ku koordinimi i aksioneve me repartin ofensiv ka dhënë rezultat. Drejtuesit teknikë të kryesuar nga Ritvan Kulli në stërvitjen e djeshme përcaktuan 18 lojtarët që do të jenë të gatshëm për ndeshjen e së shtunës. Në kampin lezhjan, deklaratat i kanë lënë për në fund, pas përfundimit të finales ndaj Tomorit. Edhe sezonin e kaluar ekipi lezhjan doli në “play-off”, por u ndal nga Dinamo, ndaj dhe impenjimi i Besëlidhjes është maksimal që të mos përsëritet disfata e sezonit të kaluar.
 
Back To Top