Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Ridvan Kulli: Kam qarë si fëmijë, jam i pafat

Ka qarë si një fëmijë. Ishte një prej atyre ditëve që trajneri i Besëlidhjes, Ritvan Kulli, ka derdhur shumë lot pas humbjes në “play-off”-it ndaj Tomorit. I pafat dhe i dënuar të vuajë, ai së bashku me skuadrën. Megjithëse ishin në avantazh te penalltitë, tre prej futbollistëve kanë goditur shtyllat. Dy ditë më parë vendosi të japë dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës. “Do të më mbesë peng deri në vdekje ai takim. Me fatin nuk mund të luash”, – shprehet tekniku lezhjan.

Përpara dy ditësh deklaruat dorëheqjen e parevokueshme si trajneri i Besëlidhjes. Pse ky vendim?
Është shumë e thjeshtë, nuk arrita të realizoj objektivin që i kishim vënë vetes për t’u ngjitur në Superiore. Për të respektuar ekipin dhe presidentin Gjok Noka për ato para që ka shpenzuar për skuadrën, unë vendosa të dorëhiqem. E mora vendimin pas humbjes me Tomorin dhe, në analizën e së hënës, ia paraqita dorëheqjen në sy të të gjithë lojtarëve presidentit.

Keni derdhur shumë lot pas asaj sfide…
Unë e ndjej shumë Besëlidhjen pasi, përveçse isha trajner, jam lindur dhe rritur në Lezhë. Nuk mund ta përmbaja dot veten në ato momente. Megjithatë, dua të them se në atë takim ne dominuam ndaj beratasve. Kemi pasur kundër gjyqtarin Sino, i cili na ka penalizuar në dy momente, ku futbollistët e Tomorit duhej të ndëshkoheshin me kartonë të kuq. Unë nuk jam marrë asnjëherë me gjyqtarët, por mendoj se Sino ishte 200% kundër Besëlidhjes. Te penalltitë dihet që është fat dhe ai nuk ishte me ne.

Çfarë u keni thënë futbollistëve pas asaj sfide?
Vetëm i kam puthur të gjithë dhe i kam uruar për gjithçka bënë. Ata bënë më të mirën dhe nuk kishin asnjë faj. Në të tilla raste, përgjegjësinë e merr gjithmonë trajneri, kur nuk arrihet një objektiv.
Edhe një sezon më parë jeni mundur në “play-off”, e konsideroni mungesë fati?
Vitin e kaluar e mora skuadrën vetëm shtatë ditë përpara sfidës me Dinamon dhe ishte puna e paraardhësit tim. Ndërsa këtë sezon, fati na mungoi atëherë kur kishim më shumë nevojë.

E ardhmja?
Dua të pushoj për pak kohë. Megjithatë, më kanë kontaktuar 2-3 skuadra dhe gjatë ditëve në vijim do të vendos.
   
Back To Top