Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Ritvan Kulli: Beselidhja nuk thyhet kollaj. Shanset i kemi njëlloj

Trajneri i Besëlidhjes, Ridvan Kulli, e sheh me optimizëm sfidën ndaj Tomorit, edhe pse beratasit vijnë në plejofin e “Qemal Stafës”, si skuadër e Kategorisë Superiore. “Nga të tri skuadrat e Superligës, që do të luajnë në plejof, Apolonia, Kamza dhe Tomori, beratasit janë sipas meje, ekipi më i fortë’, - tha Kulli për gazetën “Telegraf”. Besëlidhja e Lezhës u rendit në vendin e pestë të Kategorisë së Parë, por asaj nuk i mungon përvoja e ndeshjeve plejof, pasi sezonin e kaluar, luajti kundër Dinamos.

* * *

Zoti Ritvan Kulli, Besëlidhja juaj do të luftojë për një biletë në Kategorinë Superiore, duke pasur përballë Tomorin. Si e parashikoni?

Skuadrën e Tomorit e njohim mirë, ashtu siç besoj se dhe ajo ka njohuri për ne. Ne po përgatitemi me seriozitetin dhe përkushtimin më të madh për të bërë një ndeshje dhe paraqitje të mirë. Sigurisht, besojmë plotësisht ne shanset tona. Në fund të fundit, është një 90-minutësh i vetëm dhe mund të ndodh gjithçka.

Sa reale i shihni shanset tuaja?

Për momentin mund të pohoj vetëm se shanset e të dy ekipeve janë të barabarta, 50% me 50%. Kush do të gabojë më pak, por dhe do të ketë më shumë fat do ta fitojë.

Beratasit vijnë në sfidën ndaj jush me statusin si ekip i Superligës, sa në presion e ndjen veten?

Për të qenë i sinqertë, nga të tri skuadrat e Superligës, që do të luajnë në plejof, Apolonia, Kamza dhe Tomori, beratasit janë sipas meje, ekipi më i fortë. Pavarësisht se Tomori, vjen si një skuadër Superligës, dua të theksoj faktin se dhe ne gjatë ndeshjeve përgatitore jemi përballur me ekipe të Kategorisë Superiore.

Besëlidhja, ashtu si Tomori, është një skuadër me traditë futbollistike. Sa mund ndikojë historia?

Besëlidhja është një skuadër me përvojë, çka e paraqiti edhe në një kampionat të vështirë si Kategoria e Parë, ku marrin pjesë emra të respektuar klubesh. Dua të theksoj një fakt se, duke qenë skuadër e Kategorisë së Parë, kemi luajtur edhe në fusha me terrene jo të përshtatshme, duke mos e shprehur të gjithë potencialin tonë, në të gjithë komponentët. Fakti që do të luajmë në Tiranë, na jep mundësi ta shpalosim atë. Kemi potencialin e duhur për ta bërë këtë. Të gjithë në Lezhë presin ngjitjen tonë në Kategorinë Superiore.
 
Back To Top