Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Buraku: Respektoj kontratën me Besëlidhjen

Futbollistët e Besëlidhjes, të cilët janë duke shijuar pushimet verore, do të grumbullohen pas lajmërimit që do të bëjë klubi. Pritet të jetë trajneri i ri ai që do të zbatojë një strategji për ekipin e sezonit të ardhshëm. Ndërkohë, një ndër futbollistët që pret të grumbullohet me Besëlidhjen është dhe lezhjani 23-vjeçar, Klaudi Buraku, i cili e ka nisur aventurën në këtë sport këtu e dhjetë vite të shkuara, duke u grumbulluar me ekipet zinxhir të Besëlidhjes si mesfushor i qendrës dhe për ta vijuar atë deri në fund të fazës së parë të kampionatit që sapo u mbyll.

“Fanellën e Besëlidhjes e kam veshur gati dhjetë vjet, që me paratërinjtë, të rinjtë, duke vijuar deri në fund të fazës së parë të sezonit që sapo ka përfunduar. Kontratën me Besëlidhjen e kam deri në fund të sezonit 2012-2013, ndërkohë që fazën e dytë të kampionatit u huazova te Burreli. Në ndeshjen me Besën e Kavajës në fund të tetorit të kaluar u dëmtova në kaviljen e majtë dhe për rrjedhojë deri në fillim të fazës së dytë qëndrova larg fushës së blertë. Pas rehabilitimit iu ktheva stërvitjeve me ekipin, por nga një marrëveshje mes klubeve fazën e dytë iu bashkëngjita klubit matjan, por pa prishur kontratën me Besëlidhjen. Me kontigjentin e lojtarëve që ka, Besëlidhja e meriton të jetë pjesë e Superiores. Unë ndërkohë kam marrë ftesë nga një klub i Superiores, por edhe të së Parës, si dhe nga një ekip i Serisë C në Itali, por më pëlqen që ta mbyll kontratën këtu në Lezhë”, – është shprehur Buraku.
 
Back To Top