Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Kapiteni Peqini drejt largimit

Prej disa javësh Besëlidhja ka marrë pushimet. Megjithatë, futbollistët janë përfshirë në vorbullën e merkatos verore dhe po shqyrtojnë me imtësi çdo mundësi që u afrohet. Duket se në qendër të merkatos lezhjane është kapiteni Florian Peqini. Në një prononcim për “Panorama Sport” ai flet me entuziazëm për ekipin e tij, ndërsa sqaron se për të qenë edhe kampionatin e ardhshëm në Lezhë, fillimisht duhet të bisedojë me presidentin Gjokë Noka. “Këto ditë pushimesh po më duken shumë të gjata, pasi ne (futbollistët) jemi mësuar të jetojmë në grup, kjo nga grumbullimi çdo ditë për stërvitjet rutinë.

Kështu në këtë sezon pushimesh, edhe pse çdo ditë vijojmë seanca stërvitore individuale për të mbajtur trupin në formë, nuk mjafton. Ndaj, edhe ftesën për grumbullim po e presim me padurim. Pasditen e kemi më të lehtë për ta kaluar tani që ka filluar dhe Evropiani, duke shijuar spektaklin e 16 ekipeve më të mira të Evropës. Kam shumë oferta nga klube me emër të Superiores dhe jam në negociata, por Besëlidhja mbetet deri tani ekipi im i preferuar, edhe pse nuk arritëm që të ngjitemi një kategori më lart. Ofertat janë të kënaqshme për sa u përket financave, ndaj edhe kam menduar që të rinegocioj me presidencën lezhjane.

Gjithashtu, nga ana personale, të jesh pjesë e Superiores është një hap më shumë në karrierë”, – shprehet qendërmbrojtësi. Duke përfunduar, megjithëse është i tunduar dhe po mendon largimin, shtatlarti beson se Besëlidhja në të gjitha rastet do të ngjitet në Superiore vitin e ardhshëm. “Pa dyshim që skuadra lezhjane është pretendente kryesore për t’u ngjitur në Superiore sezonin e ardhshëm. Bindjen time në suksesin e Besëlidhjes e mbështes jo vetëm në mundësitë teknikotaktike dhe fizike që ka kjo skuadër, por edhe nga trajtimi normal nga ana e presidencës lezhjane”, – përfundon mbrojtësi Peqini.
 
Back To Top