Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Në Lezhë janë të bindur, ruajnë grupin dhe ngjiten

Në pritje të ftesës nga ana e drejtuesve të Besëlidhjes, futbollistët po shijojnë pushimet verore. Një ndër ta është edhe mbrojtësi i majtë, Bruno Kepi, i cili mbahet mend për daljet e tij të shpeshta në ndihmë të sulmit, nga ku ka zgjidhur mjaft situata të vështira, duke dhënë pasa tepër të saktë, të cilat janë kthyer në gola pa vështirësi nga sulmuesit. Siç dihet, reparti i mbrojtjes lezhjane ka qenë një nga sektorët më të kompletuar të ekipit, kjo e matur me sasinë e pakët të golave që ka pësuar Besëlidhja. Mbrojtësi që po i kalon këto ditë pushimesh në Itali, shprehet: “Objektivi i Besëlidhjes që në fillim të sezonit për t’u ngjitur në Superiore ishte plotësisht i realizueshëm, por surprizat e futbollit të lënë në baltë, edhe pse i ke të gjitha mundësitë.

Ekipi deri në javët e fundit të fazës së parë ishte në kreun e tabelës edhe fazën e parë, pavarësisht se u renditëm të katërtit. Edhe pse merkatoja dimërore ishte mjaft e pasur me futbollistë cilësorë, transfertat nuk ndryshuan, kemi fituar vetëm një ndeshje, njësoj si në fazën e parë. Për sa i përket kampionatit të ardhshëm jam i bindur se, nëse nuk shpërbëhet ky grup futbollistësh, as që diskutohet ngjitja në Superiore, por ambicia e Besëlidhjes është që të shpallet edhe kampione, pavarësisht se lufta do të jetë shumë e fortë. Edhe pse ofertat nuk më kanë munguar, unë dëshiroj të qëndroj në Lezhë”.
 
Back To Top