Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Pepaj: Kam oferta, por dua të qëndroj në Lezhë

Si gjithë futbollistët e tjerë edhe ata të Besëlidhjes vijojnë pushimet për t’u grumbulluar vetëm pasi të njoftohen nga klubi. Pjesa dërmuese e lojtarëve, të cilët e kanë mbyllur sezonin, janë të gatshëm t’i bashkohen sërish kësaj skuadre. Një ndër ta është edhe shkodrani Vahi Pepaj, i cili ka qenë një nga lojtarët kyç në mesfushë. Deri në javët e fundit të fazës së parë ka mbajtur shiritin e kapitenit, që më pas ia kaloi qendërmbrojtësit Peqini. Mesfushori është i gatshëm ta veshë sërish fanellën e Besëlidhjes, edhe pse ka pasur oferta nga 2 klube me emër të Superiores dhe nga 2-3 ekipe të së Parës. Madje, interesimi për të ka qenë edhe jashtë kufijve nga Zeta e Malit të Zi, që merr pjesë në Kupat e Evropës.

“Në këtë periudhë merkatoje ofertat nuk më kanë munguar qoftë nga Superiorja dhe Para, por edhe nga skuadra Zeta e Malit të Zi. Akoma nuk kam vendosur përfundimisht. Kampionati sapo ka përfunduar dhe jemi në periudhë pushimesh. Por, të them të drejtën, kam mbetur shumë i kënaqur nga drejtuesit e Besëlidhjes, në veçanti nga korrektësia e presidentit Gjok Noka. Jam familjarizuar shumë te kjo skuadër ndaj, pse jo, do të më pëlqente ta vazhdoja aventurën te Besëlidhja”. Ndërsa, sa i përket sezonit që lamë pas, Pepaj pohoi: “Në përgjithësi ka qenë një sezon pozitiv. Me këtë grup futbollistësh duhej të ishim pjesë e Superiores, por fati nuk na ndihmoi, edhe pse shkuam deri në gjuajtjet e penalltive. Megjithatë, jam i sigurt se sezonin e ardhshëm Besëlidhja do shpallet kampione e së Parës, duke u ngjitur direkt në Superiore. E mbështes këtë në grupin që mbylli sezonin dhe shpresoj që të jetë po i njëjti. Gjithashtu, këtë optimizmin e mbështes te performanca e shkëlqyer që Besëlidhja ka shpalosur në fushën e blertë, sidomos në shtëpi, ku nuk ka falur as edhe një ekip”.
 
Back To Top