Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Superiorja me 10 skuadra, zbardhet projekti i klubeve…

Drejtuesit e klubeve të Kategorisë Superiore pritet ta shfrytëzojnë në maksimum mbledhjen konsultative të thirrur nga FSHF. Në ndryshim nga të gjitha sezonet e kaluara, organizatorët e këtij takimi do të paraqiten me propozime konkrete, nga përfaqësues të klubeve më të rëndësishme në vend. “Panorama Sport” ka zbuluar disa nga planet e këtij grupimi, të cilët të lodhur nga konkurrimi tejet problematik synojnë një ndryshim rrënjësor në organizimin e garës më të rëndësishme futbollistike në vend. Të gjitha propozimet do të paraqiten në formën e një drafti, në të cilin do të gjejnë vend shqetësimet e tyre më kryesore.
1. Struktura e kampionatit Disa nga klubet e elitës si Flamurtari, Tirana, Vllaznia, Besa etj., kërkojnë një kampionat, ku të konkurrojnë 10 ekipet më të mira, të cilat do të përballen në katër faza. Një kusht i rëndësishëm për pjesëmarrjen në të duhet të jetë licencimi i klubeve. Për të qenë konkurrent në këtë garë nuk do të jetë i mjaftueshëm vetëm rezultati teknik por, mbi të gjitha, infrastruktura, ekipet zinxhirë dhe kriteri financiar. Sipas tyre, një konkurrim i tillë, me shumë më tepër ndeshje do të kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e të ardhurave për klubet dhe përmirësimin e imazhit të futbollit tonë.
2. Rritja e numrit për të huajt Një vendim i marrë dy vite më parë, pas propozimit të vet klubeve, për lejimin e vetëm 5 futbollistëve të huaj në kampionatin tonë, por që tani vetë klubet kërkojnë ta ndryshojnë. Arsyetimi: në kushtet kur alternativat cilësore në futbollin tonë janë të pakta dhe kërkesa e lartë, rrit në mënyrë artificiale shpenzimet.
3. Rritja e kushteve të sigurisë Për t’i evituar të gjitha problematikat e konstatuara më parë, që në thelb kanë dhunën në stadiumet tona dhe veçanërisht në ambientet e brendshme, të vihet si kusht instalimi i kamerave të sigurisë, të cilat do të siguronin një informacion të munguar deri më tani dhe do evitonin presionin për zyrtarët e ndeshjes.
4. Rritja e numrit të kartonëve të verdhë për pezullim Prej vitesh në vendin tonë ekziston një rregullore, pezullimi i një futbollisti pas tre kartonëve të verdhë. Nisur nga eksperienca e vendeve më të zhvilluara, kërkohet rritja e numrit të kartonëve të verdhë, nga 3 në 5 për pezullim, pasi në këtë mënyrë do të kishim më pak pezullime për futbollistët më të mirë.
5. Ndëshkimi me provë TV Për të frenuar veprimet e dhunshme, ndërhyrjet e rrezikshme të përdoret prova televizive për të dënuar futbollistët problematik.
6. Stimulimi i skuadrës “fair play” Shuma e grumbulluar nga gjobat që do të vendosen gjatë të gjithë sezonit futbollistik, të kalojë në formë shpërblimi për skuadrën, ose tre skuadrat më të mira në renditjen “fair play”.
7. Komision Apeli për DHZK-në Për shkak të një numri vendimesh të kontestueshme nga Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve, të cilat janë të formës së prerë dhe nisur nga pamundësia e një tjetër gjykimi, propozojmë ngritjen e një Komisioni Apeli, që do të evitonte kalimin e çështjes në mënyrë të drejtpërdrejt në Gjykatën Sportive të UEFA-s.
8. Shkrirja e Komitetit të Arbitrimit Të merret në shqyrtim puna e Komi tetit të Arbitrimit dhe i gjithsecilit anëtar të tij, pasi puna që aktualisht bëjnë 9 anëtarët, deri një vit më parë, ishte përgjegjësi e vetëm një punonjësi. Për mungesë efikasiteti dhe ulje shpenzimesh, pritet të propozohet shkrirja e këtij organizmi.
9. Caktimi i gjyqtarëve Nisur nga precedentët e shkuar, ku arbitrave të ndryshëm u është ushtruar presion në ambientet e tyre private, një natë përpara ndeshjeve, të shikohet mundësia, që emërimi i tyre të bëhet ditën e ndeshjes.
10. Mbrojtja e gjyqtarëve Nisur nga precedentët e shkuar, ku arbitra të ndryshëm janë dhunuar, apo u është bërë presion, të gjendet një zgjidhje për mënyrën e udhëtimit të tyre. Propozojmë hartimin e një kontrate me polici private dhe, ku shuma e shpenzuar të zbritet nga shpërblimi për gjyqtarët.
Si mund të ndryshohet struktura
Rregullorja e Federatës Shqiptare të Futbollit parashikon qartë që struktura e kampionatit ndryshon një sezon përpara. Kështu, kampionati i Kategorisë Superiore për sezonin 2012-2013 do të zhvillohet me 14 skuadra. Në rast të miratimit të ndryshimit të strukturës në mbledhjen e së hënës në Federatën Shqiptare të Futbollit, kjo ka lidhje me kampionatin që do të zhvillohet në sezonin 2013-2014. Struktura e garës së Superiores dhe Kategorisë së Parë ka ndryshuar disa herë gjatë viteve të fundit. Përpara tri sezonesh, Superiorja u zhvillua me 12 skuadra dhe tre faza dhe më pas u vendos që kampionati i kaluar të luhej me 14 skuadra, duke u dhënë mundësi katër ekipeve të së Parës që të ngjiteshin një kategori më lart. Ndërkaq, përpara miratimit të ndryshimeve të ndryshme që janë bërë ndër vite, ka pasur shumë ide, madje është thënë se kampionati mund të bëhej edhe me 16 skuadra. Por, kjo ide është konsideruar e ekzagjeruar. Aktualisht, Superiorja është me 14 skuadra dhe Kategoria e Parë me 16. Dy të fundit bien direkt, ndërsa e 12-ta, 11-ta dhe 10-ta zhvillojnë Play-off me ekipet e së Parës.
Klubet e vogla pritet të kundërshtojnë
Thuajse të gjitha klubet që konsiderohen të vogla, si në Superiore, ashtu edhe në Kategorinë e Parë, nuk janë dakord për ndryshimet që fillimisht do të diskutohen të hënën dhe më pas mund të miratohen nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së. Këto klube nuk plotësojnë shumë kushte që kërkohen nga rregullorja e re, e cila pritet të miratohet. Jo vetëm infrastruktura që lë për të dëshiruar për sa u përket fushave ku luhet dhe kushteve të stadiumeve, por shumë prej këtyre klubeve nuk kanë ekipe zinxhir dhe bilancet financiare lënë për të dëshiruar. Në të tilla kushte, shumë prej stadiumeve që nuk plotësojnë standardet bëhen burim dhune dhe presioni ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Rastet janë të shumta dhe vetëm kampionatin e kaluar, si në Superiore, ashtu edhe në Kategorinë e Parë, dhuna ishte një prej elementëve të pandashëm të garës. Pritet që kundërshtimi i klubeve të vogla në mbledhjen e së hënës të jetë i ashpër.
Dështon afati i federatës, shumë klube me probleme
Institucioni i futbollit shqiptar paralajmëroi më 16 maj klubet me probleme në plotësimin e kritereve të licencimit. U vendos një afat 7-ditor që 29 klube të plotësonin dokumentacionin. Mirëpo, vetëm gjysma e tyre i është përmbajtur këtij afati. Burime në FSHF konfirmojnë se ndaj 14 klubeve mund të merret një masë ndëshkimore, e cila është e parashikuar edhe në statusin e FSHF-së. Nuk është hera e parë që federata vendos afate për ndërgjegjësimin e klubeve. Gjatë sezonit të kaluar klube si Tirana dhe Flamurtari vuajtën jo pak për të plotësuar kriteret. Pavarësisht paralajmërimeve të shumta, përsëri ato e shkelën afatin e vendosur nga FSHF. Tashmë ndodh e njëjta gjë, por mbetet për t’u parë se cilat do të jenë masat që do të merren nga institucioni i futbollit. Klubet janë toleruar shpesh dhe ndoshta FSHF tashmë do të veprojë me dorë të hekurt në këtë drejtim.
“Kërcënimi” - Klubet e Vllaznisë, Laçit, Pogradecit, Mamurrasit, Besës, Lushnjës, Gramozit, Adës, Luftëtarit, Burrelit, Vlorës, Skraparit, Himarës, Ilirisë, Tërbunit, Partizanit, Tepelenës, Sukthit, Përmetit, Luz i Vogël, Albpetrolit, Sopotit, Veleçikut, Naftëtarit, Erzenit, Turbinës, Olimpikut, Memaliajt dhe Egnatias, në bazë të nenit 7 të rregullores se licencimit të FSHF-së dhe nenit 10 dhe 13 të KDS-së, paralajmërohen se në rast të mosplotësimit të kritereve të licencimit brenda një afati 7-ditor nga shpallja e këtij vendimi, do te aplikohen masa ndëshkimore.
FSHF, dy standarde për licencimin
Fiton të drejtën nëpërmjet garës për t’u ngjitur një kategori më lart, por e ke të pamundur për të marrë pjesë. Shkaku? Nuk plotëson kriteret më minimale të vendosura nga FSHF për licencimin e klubit. Për kategoritë inferiore, institucioni i futbollit e ka zbatuar rregulloren, duke lënë jashtë aktivitetit ato skuadra që nuk plotësonin disa kritere, duke filluar nga stadiumet. Mirëpo, nëse kjo ka ndodhur me ekipe inferiore në të kaluarën, si Pojani, Farka apo Vora, institucioni i futbollit nuk ka vepruar njësoj për klubet që ngjiten në Superiore. Kanë qenë jo të pakta rastet ndër vite, kur skuadra që kanë marrë pjesë në elitën e futbollit shqiptar janë toleruar nga ana e FSHF-së, edhe pse nuk i plotësonin kriteret e licencimit. Është fakt që një pjesë e madhe e stadiumeve në Shqipëri lënë shumë për të dëshiruar. Nëse FSHF zbaton rregulloren, atëherë nga Kategoria Superiore së paku dy-tri nuk duhet të ishin në garë. Nëse ndodhte kështu, atëherë pjesë e Superiores do të ishte ai klub që plotësonte kriteret për pjesëmarrjen në elitën e futbollit. Përveç kushteve skandaloze në stadiume, shpesh pjesë e Superiores kanë qenë edhe klube, të cilat nuk kanë pasur as skuadra të sistemit zinxhir. Vendimet e FSHF-së kanë qenë me dy standarde, pasi në elitën e futbollit është toleruar, ndërsa e kundërta ka ndodhur me Kategorinë e Dytë. Shpesh gara që bëhet nga skuadrat, të cilat duan të futen në kategorinë inferiore dhe që nis nga Kategoria e Tretë, ka qenë formale, pasi FSHF në fund ka futur atë klub që plotëson kushtet minimale për pjesëmarrjen në të dytën. Mirëpo, kjo s’ka ndodhur kur bëhet fjalë për Superioren.
E kaluara Në vitin 1982 klubi “Dajti”, që aktualisht përfaqësohet me emrin e Kamzës, fitoi të drejtën e pjesëmarrjes një kategori më lart. Në atë periudhë ishte një sukses për Dajtin, mirëpo FSHF-ja e asaj kohe nuk ia dekretoi të drejtën e pjesëmarrjes në elitën e futbollit. Për shkak se Dajti nuk kishte një stadium që plotësonte kriteret, FSHF vendosi të përzgjidhte një skuadër tjetër, edhe pse në bazë të klasifikimit nuk meritonte ngjitjen. Në atë vit këtë të drejtë e fitoi Përmeti, për vetë faktin se kishte një stadium që plotësonte kriteret e vendosura nga federata.
NENI 62
Çdo klub duhet të përfitojë çertifikatën e sigurisë për terrenin e fushës së lojës përkatës, në përputhje me standartet e terreneve sportive ë FSHF-së
NENI 63
Çdo klub duhet të zotërojë në pronësi fushën e lojës dhe ambientet stërvitore ose të zotërojë marrëveshje shfrytëzimi të lidhur me pronarin në të cilën klubi gëzon të drejtën e shfrytëzimit deri në fund të sezonit përkatës. Dokumentacioni i cili vërteton pronësinë ose të drejtën e shfrtyëzimit të fushës duhet të dorëzohet në FSHF jo më vonë se 18 ditë para startit të kampionatit. Në rast se verifikohen shkelje, klubi kundravajtës sanksionohet me përjashtim nga gara dhe zbritje në një kategori më të ulët.
Shembulli vjen nga Krocia
Në fillim të viteve `90, drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kroacisë morën një vendim ekstrem, i cili u shkoi për shtat dhe i dha frytet më pas. Kroatët vendosën që të pranonin në dy kategoritë vetëm ato skuadra që plotësonin një sërë kërkesash, të cilat sigurisht do të rrisnin nivelin e futbollit. Së pari, klubet duhet të kishin një stadium, i cili ishte i licencuar edhe nga UEFA e FIFA. Së dyti, të kishin domosdoshmërisht një aneks stërvitor për të bërë stërvitje. Dhe së treti, klubet e kishin si kusht që të përfaqësoheshin edhe me skuadrat U-17 dhe U-19.
Back To Top