Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja i besohet Metës, trajneri ndryshon natën!

Pasditen e djeshme Besëlidhja u grumbullua për herë të parë për të nisur përgatitjet për sezonin e ri. Drejtuesit lezhjanë, nën drejtimin e presidentit Gjok Noka, prezantuan trajnerin e ri të ekipit Sokol Meta. Çështja e teknikut u shndërrua në një telenovelë të vërtetë në vetëm pak orë. Deri të dielën në mbrëmje tekniku i skuadrës ishte Elvis Plori, por në orët e vona të natës marrëveshja është prishur dhe drejtuesit kanë vendosur për alternativën e dytë, Sokol Metën. Ky i fundit është prezantuar dje me skuadrën dhe lojtarët kanë mbetur paksa të habitur, pasi prisnin që trajneri i ri të ishte Plori. Meta zëvendëson në krye të pankinës Ritvan Kullin, i cili u dha dorëheqjen menjëherë pas përfundimit të kampionatit. Përveç trajnerit që është i ri, i gjithë stafi është po ai i sezonit të kaluar. “Ju mbani veshur një fanellë të rëndë si ajo e Besëlidhjes. Duhet të bëni gjithçka në fushë për të marrë rezultatet. Do të jem gjithmonë mbështetja juaj”, – ishin fjalët e para të trajnerit të ri për futbollistët.


Lojtarët Ndërkaq në stërvitje u rreshtua pothuajse i gjithë ekipi që ka mbyllur sezonin e kaluar, përveç Aleksandër Miliç që ka shkuar në Gjirokastër dhe Florian Peqini, i cili është grumbulluar me Laçin. Përveç këtyre, dje nuk është parë në fushën e stërvitjes edhe shkodrani Albert Kaçi, i cili ende nuk dihet nëse do të rikthehet në Lezhë apo jo? Lojtarët që u paraqitën dje në stërvitje ishin: Dashamir Xhika, Rinev Dani, Bruno Kepi, Aleksandër Stojkoviç, Sadush Dani, Vojislav Trajkoviç, Milan Gjorgjeviç, Vahi Pepaj, Kled Dibra, Arenc Dibra, Ardi Malasi, Xhynejt Çutra, Ardian Beqiri, Armando Noka dhe Saimir Hyseni. Gjithashtu, në stërvitje morën pjesë edhe disa futbollistë nga ekipet e të rinjve. Deri tani nuk ka asnjë lojtar të blerë dhe pritet që ditët në vazhdim drejtuesit të hyjnë në merkato për të afruar lojtarë cilësorë. Presidenca synon që të ndërtojë një skuadër të mirë, që të konkurrojë denjësisht në kampionatin e ardhshëm dhe të kapë Kategorinë Superiore. Ditët e para skuadra do t’i kryejë seancat stërvitore në Lezhë dhe më pas do të zhvendoset në Shëngjin për të zhvilluar fazën përgatitore.

Shefi i klubit konfirmoi Plorin
Deri dje, në orët e vona të pasdites, drejtuesit e Besëlidhjes kishin arritur akordin me Elvis Plorin, i cili do të ishte tekniku i ri i lezhjanëve. Trajneri i ri u konfirmua edhe nga shefi i klubit, Nikoll Voci. Por, në mesnatë gjithçka ndryshoi dhe drejtuesit e Besëlidhjes vendosin për Sokol Metën. Presidenca e zgjodhi teknikun e ri vetëm një ditë përpara se të grumbullohej skuadra për të nisur përgatitjet për sezonin e ardhshëm. Që prej fundit të majit, lezhjanët ishin pa trajner për shkak të dorëheqjes së Ritvan Kullit nga ky post, pas humbjes që Besëlidhja pësoi në ndeshjen e “play-off”-it me Tomorin. Meta ka bërë dje prezantimin me skuadrën që do të drejtojë këtë sezon.

KRONOLOGJIA E STOLIT TË BESËLIDHJES
1. Në fund të majit, trajneri Ritvan Kulli dha dorëheqjen nga Besëlidhja pas humbjes që pësoi në ndeshjen e “play-off”-it ndaj Tomorit.
2. Vetëm tri ditë përpara se skuadra lezhjane të grumbullohej, doli emri i parë si alternativë e mundshme për të marrë drejtimin e Besëlidhjes. Bëhej fjalë për Elvis Plorin, me të cilin drejtuesit kishin hyrë në bisedime.
3. Deri në orët e vona të pasdites së të dielës, drejtuesit e Besëlidhjes konfirmuan në krye të stolit Elvis Plorin.
4. Në mesnatë presidenca ndryshon mendje dhe vendos që trajner të jetë Sokol Meta. Ky i fundit është prezantuar dje përpara skuadrës nga presidenti Gjok Noka. Do të jetë ai që do ta drejtojë ekipin lezhjan sezonin e ardhshëm.
 
Back To Top