Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Noka: Serbët i largova unë, Meta është ‘basti’ im

Besëlidhja vazhdon normalisht përgatitjet për sezonin e ri. Skuadra, nën drejtimin e Sokol Metës, është duke zhvilluar nga dy seanca stërvitore në ditë. Presidenti lezhjan, Gjok Noka, po e ndjek nga afër çdo seancë stërvitore. Në një prononcim për gazetën, kreu i Besëlidhjes flet në lidhje me zgjedhjen e trajnerit dhe për merkaton.

Noka - “Në ditët e para të grumbullimit, jam tepër i kënaqur me paraqitjen e ekipit gjatë seancave stërvitore. Kjo, e konkretizuar me ndeshjen e parë të kontrollit, e cila u zhvillua për herë të parë nën drejtimin e trajnerit Sokol Meta. Me performancën sportive që shpalosën futbollistët, jemi gati të kapim Superioren. Deri tani me dëshirën time kam larguar tre futbollistë. Një nga këta Aleksandër Miliç, i cili është i huazuar për një sezon te Luftëtari. Ky erdhi si rezultat i qëndrimit përsëri në të Parën. Dua të shoh ecurinë e tij në Superiore për ta rikthyer një sezon më pas, kur edhe ne të jemi pjesë e më të mirëve të futbollit shqiptar. Mbrojtësin Florian Peqini e largova gjithashtu po me dëshirën time. Kjo pasi ekipin e kam të plotësuar me tetë mbrojtës cilësorë.

Edhe Vojislav Trajkoviçn e hoqa pasi mesfusha është e mbipopulluar”, – shprehet Noka. Më tej presidenti vijon të flasë për zgjedhjen e Metës në krye të pankinës, si edhe lëshon një paralajmërim për lojtarët që do të jenë nën vëzhgim në çdo moment. Të gjithë futbollistët e tjerë i kam me kontratë të rregullt. Kush nuk më bind në miqësore do ta largoj pa hezitim, pasi jam në tratativa me futbollistë cilësorë. Sa për trajnerin, kam shumë kohë që e kam studiuar. Jam tepër i kënaqur, sepse kam vënë në krye një profesionist tepër punëtor. Nga grumbullimi e deri tani nuk më ka zhgënjyer, përkundrazi është shumë sistematik në stërvitje, këmbëngulës dhe kërkon nga futbollistët që të japin kurdoherë maksimumin. Së shpejti do të planifikoj ndeshje miqësore me ekipe me emër të Superiores, të cilat do të shërbejnë si etalon përcaktues për trajnerin dhe ekipin”, – përfundon prononcimin e tij presidenti lezhjan.

Faza - Presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka, ka konfirmuar se skuadra e tij do ta zhvillojë fazën përgatitore në Shëngjin. “Bregdeti lezhjan është një nga perlat e Shqipërisë. Ai na ofron kushte ideale për t’u stërvitur dhe për t’u akomoduar, si bregdeti i Shëngjinit, Tales etj”, – bën të ditur Noka. Ndërkaq, ekipi prej një jave është duke u stërvitur në stadium nën drejtimin e trajnerit Sokol Meta.     
    
Back To Top