Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Noka: Stojkoviç m’u lut të largohej, prisni surpriza

Qendërmbrojtësi serb, Aleksandër Stojkoviç, largohet përfundimisht nga Besëlidhja. Për “Panorama Sport”, presidenti Gjok Noka jep detajet e largimit të lojtarit. “Është e vërtetë që qendërmbrojtësi është larguar nga Besëlidhja. Pas disa problemeve familjare, serbi m’u lut t’i jepja lejekalimin për të vijuar futbollin në ligën serbe, për arsye se nevojat familjare ia bënin të domosdoshëm qëndrimin atje. Siç dihet, tashmë reparti i mbrojtjes dhe ai i mesfushës është i dubluar me futbollistë cilësorë që kanë bërë diferencën, ndaj dhe largimi i Peqinit dhe së fundi i Stojkoviçit nuk e dëmton strukturën taktike e teknike të mbrojtjes.

Largimi i Stojkoviçit është bërë me marrëveshje njëvjeçare, për t’u kthyer pranë Besëlidhjes në sezonin 2013-2014, sezon kur Besëlidhja do të jetë pjesë e Superiores. Sa për miqësoret në fazën përgatitore, jemi në përfundim të bisedimeve dhe sapo të nisë java e re, do t’i bëjmë të ditura. Kurse sa i përket merkatos, pavarësisht se ekipi që është grumbulluar më bind, ne jemi në tratativa me futbollistë cilësorë për t’u përforcuar aty ku do të çalojmë më shumë”, – shprehet Noka në prononcimin e tij. Sa për qendërmbrojtësin serb, ai ka luajtur plot dy sezone me Besëlidhjen. Lojtari do të mbahet mend për zgjidhjen e shumë situatave delikate para portës lezhjane, por edhe për golin me vlerën e tri pikëve që shënoi në minutën e 93-të ndaj Mamurrasit. Gjithashtu, Stojkoviç do të mbahet mend edhe për dënimin që mori në fillim të fazës së dytë të sezonit të shkuar, kur për tri javë është stërvitur me të rinjtë.
   
Back To Top