Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Vëllezërit Haxhia kërkojnë rikthimin në Lezhë

Gjatë gjithë historisë 82-vjeçare, Besëlidhja ka nxjerrë breza të tërë futbollistësh që kanë bërë diferencën. Ekipet zinxhir vijojnë traditën e shkollës lezhjane të futbollit nga ku furnizojnë shumë ekipe, si vendëse po ashtu dhe të huaja. Nga shkolla lezhjane kanë dalë edhe vëllezërit Leonid e Mirsad Haxhia, 24 dhe 21 vjeç. Ata vijnë nga një familje me traditë në futboll pasi dhe xhaxhallarët e tyre, Gani dhe Bujar Haxhia, kanë luajtur futboll. Leonidi aktualisht është pjesë e Burrelit, ndërsa Mirsadi aktivizohet me Butrintin. Ofertat ndaj tyre janë të shumta, ku sigurisht nuk mungon as Besëlidhja. Leonidi në prononcimin e tij shprehet: “Futbollin e kam nisur në Lezhë që në moshë fare të vogël, ku jam aktivizuar me ekipet zinxhir dhe kam qenë një nga golashënuesit më të mirë. Për ngjyrat e Besëlidhjes kam filluar të luaj, kur ajo ishte pjesë e Superiores. Më pas kam shkuar në Kukës, ku dolëm kampionë të Kategorisë së Dytë.

Pas Kukësit lidha kontratë me Burrelin. Kam shumë oferta nga ekipe të ndryshme, madje dhe të Superiores, por mendjen dhe zemrën e kam te Dinamo. Megjithatë, nuk mund të lë mënjanë as Besëlidhjen. Për sa i përket skuadrës së vendlindjes, është një ekip që ia vlen të luash. Jam i gatshëm që të jap sërish kontributin tim aty ku e nisa aventurën e futbollit”. Edhe vëllai tjetër, Mirsadi, është në të njëjtën linjë: “Që i vogël jam marrë me futbollin. Kam vijuar me ekipet zinxhir të Besëlidhjes, më pas kam lidhur kontratë me Burrelin dhe sezonin e shkuar e mbylla në Sarandë. Kam shumë oferta, por më këmbëngulës është klubi pukjan i Tërbunit. Megjithatë, dy ekipe shqiptare janë ëndrra ime, Besëlidhja që më formoi si futbollist dhe Dinamo si ekipi i zemrës”. Ndërkaq, pritet që këto ditë skuadra të nisë përgatitjet për sezonin e ardhshëm. Një çështje që është me shumë interes te lezhjanët, ka të bëjë edhe me emrin e trajnerit të ri, që ende nuk është përcaktuar.
 
Back To Top