Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Meta: Edhe në transfertë me besim te fitorja

Ka rreth një muaj në pankinën e skuadrës së Besëlidhjes dhe trajneri Sokol Meta dëshiron të realizojë ëndrrën e të gjithë lezhjanëve: ta ngjisë këtë skuadër në Kategorinë Superiore. “Për mua Besëlidhja është me fat, duke qenë se kalendari i ka rezervuar një sfidë që mendoj se është finale, pasi luajmë ndaj Lushnjës pretendente. Janë dy skuadra, të cilat kanë bërë të njëjtën rrugë dhe janë “përjashtuar” nga Superiorja vetëm në çastet e fundit. Personalisht, gjatë këtyre javëve që kam qenë në krye të skuadrës, jam munduar që ajo të marrë përgatitjen e duhur, si fizike ashtu edhe taktike.

Kemi përpara një sfidë mjaft të vështirë, pasi Lushnja është një ekip që luan futboll dhe, përveçse traditës, ka dhe përkushtimin e drejtuesve, ndaj dhe sfida anti-Lushnjë është e vështirë, por jo e pamundur për futbollistët që kam në dispozicion. Kështu që në këtë ndeshje do fitojë skuadra që do të gabojë më pak”, – është shprehur Meta për “Panorama Sport”. Më pas trajneri, i cili ka pasur edhe një eksperiencë shtatëvjeçare në shkollën kroate të futbollit, shprehet: “Drejt Lushnjës udhëtojmë jo vetëm me shpresë, por me besim në fitore, gjithnjë duke u mbështetur në të dhënat premtuese që ka deri tani grupi. Edhe drejtuesit e klubit të kryesuar nga presidenti Gjok Noka na kanë mbështetur dhe jam i bindur se kjo mbështetje e madhe nuk do të ndërpritet deri në arritjen e objektivit”, – ka përfunduar trajneri i lezhjanëve, i cili gjatë gjithë kohës ka qenë mjaft i preokupuar në seancat stërvitore. Ndërkohë, trajneri ka zgjedhur të mos flasë për rreshtimin taktik të skuadrës, duke qenë se një gjë të tillë do ta vendosë vetëm përpara zhvillimit të takimit.
   
Back To Top