Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Gruda: Në elitë, për të mos u quajtur dështakë

Besëlidhja e ka harruar barazimin e marrë javën e shkuar ndaj Adës. Gjatë ditës së djeshme ajo ka vazhduar me intensitet të lartë përgatitjet për sfidën e radhës, që do të luajë në shtëpi ndaj Mamurrasit. Vlen të përmendim se te lezhjanët, ndryshe nga një vit më parë, në formacion ka futbollistë vendës. Një prej tyre është edhe Mirsad Gruda, i cili prej 10 vitesh është pjesë e këtij ekipi. “Kemi një barrë të rëndë mbi supe për ta ngjitur Besëlidhjen në Superiore, nga e cila do mund të çlirohemi vetëm kur ta arrijmë këtë objektiv. Tifozët kanë katër sezone radhazi që po presin me padurim rikthimin në elitë, por edhe vjet ne i zhgënjyem. Megjithatë tashmë jemi këtu dhe po punojmë fort që të bëjmë realitet ëndrrën katërvjeçare të drejtuesve, por edhe të mbështetësve tanë”, – ka thënë lojtari.

Më pas ai ka folur edhe për sfidën e radhës. “Deri tani kemi grumbulluar 4 pikë, por që nuk mjaftojnë, ndaj dhe në ndeshjen e fundjavës me Mamurrasin duhet të luajmë lojën tonë tradicionale që të kemi sukses. Një rëndësi të madhe duhet t’u kushtojmë transfertave që të mos përsëritet historia e sezonit të kaluar, sepse vetëm me pikët e shtëpisë as matematika nuk ta lejon kreun e tabelës. I gjithë grupi i futbollistëve pa përjashtim është i impenjuar maksimalisht për të përballuar me sukses këtë sezon, pra për të siguruar patjetër Superioren. Në rast se nuk e arrijmë një objektiv të tillë, atëherë do të mbetemi në histori si brezi dështak i Besëlidhjes dhe një gjë të tillë askush nuk e dëshiron”, – ka përfunduar Gruda.
 
Back To Top