Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Java 1: Lushnja - Besëlidhja 1:0. Vendos goli i Cankës

Besëlidhje e nis me humbje sezonin e ri, duke u mundur nga Lushnja me rezultatin 1:0. Për verdhejeshilët mendon sulmuesi Canka, i cili me një gjuajtje me thembër i ka dhënë 3 pikët Lushnjës në një sfidë të rëndësishme. Një takim që nuk dhuroi atë që pritej, pasi të dy ekipet nuk shfaqën atë çka pritej prej tyre. Sfida është luajtur pa praninë e tifozëve, duke qenë se fusha e Lushnjës është dënuar që nga sezoni i kaluar nga Komisioni i Disiplinës. Takimi mes Lushnjës dhe Besëlidhjes ishte cilësuar si përballja “big” e javës së parë, nisur nga objektivi që kanë këto dy ekipe këtë sezon.

Një fillim i shpejtë për Lushnjën, e cila e kërkon golin shpejt, ndërkohë që miqtë u mbrojtën në minutat e para të takimit. Është mesfushori Erind Korreshi, i cili do provojë i pari në minutën e 4-t, por Xhika është në gadishmëri. Për 10 minuta vendësit sulmojnë shumë, por pa mundur të realizojnë. Loja nis të baraspeshohet, kur edhe miqtë fillojnë dhe shohin në drejtim të portës së Spahos. Në minutën e 12-të është Çutra, i cili gjuan nga jashtë zone, por pret portieri. Loja bëhet e mërzitshme për të dyja skuadrat, të cilat luajnë më shumë në mesin e fushës dhe mbi të gjitha bëjnë edhe mjaft gabime. Në minutën e 17-të është një kundërsulm i bukur i miqve, kur Dibra nxjerr të lirë sulmuesin Gega, por ky i fundit, edhe pse përballë Spahos nuk gjen kohën e duhur për të goditur.

Pjesa e dytë nis me një Lushnjë më agresive. Në minutën e 49-të është Çela që gjuan, por pret Xhika. Verdhejeshilët kërkojnë golin me ngulm dhe në minutën e 52-të është Korreshi që gjuan nga jashtë zone, por Xhika pret sërish. Në minutën e 54-t aksioni fillon nga Bizhyti, i cili pason për Çelën dhe kapiteni shërben për te R.Sula në krahun e majtë. Ky i fundit merr krahun dhe harkon në zonë aty ku Canka me finte mposht Xhikën. Një gol që duket se i jep qetësinë e duhur Lushnjës. Miqtë nuk kanë çfarë të humbasin më dhe Meta nga stoli i hedh të gjithë në sulm. Në minutën e 57-të është Gega që u vidhet bukur mbrojtësve, hyn në zonë përballë Spahos, por aty rrëzohet dhe miqtë pretendojnë për penallti. Por gjyqtari i tregon kartonin e verdhë për simulim sulmuesit mik. Deri në fund nuk ka shumë histori.

Lushnja - Besëlidhja 1:0
Shënues: Canka 54′
Lushnja: Spaho, Grizha, Stojkoviç, Ndoni, Rr.Sulo (Prela 48′), Bizhyti, R.Sula, E.Korreshi, Çela, Galica (H.Korreshi 79′), Canka (Metushi 91′). Trajner: A.Bano
Besëlidhja: Xhika, Kepi, Dibra, Peqini, Shytani, Beqiri (Malasi 71′), Gruda (Danaj 81′), Pepaj, Çutra, Gega (Ziri75′), Dibra. Trajner: S.Meta
   
Back To Top