Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Java 5: Butrinti - Besëlidhja 1:0. Dyshime mosimpenjimi nga 3 lojtarë!

Loja ka nisur e qetë. Dhjetë minutat e para të takimit u kanë shërbyer dy skuadrave të studiojnë njëra-tjetrën dhe topi ka qarkulluar në mesfushë. Në minutën e 10-të Çutra gjuan fuqishëm ngjitur me shtyllën pingule. Në të 13- ën, vendësit fitojnë goditjen e parë të këndit. Pas krosimit, Xhibro godet me kokë, por jashtë. Në minutën e 14-të, Malasi gjuan fuqishëm, por Demi grushton. Nga minuta e 18-të deri në atë të 41-ën, Butrinti ushtron presion duke fituar disa goditje këndi dhe dënimi, por të gjitha nuk sjellin asgjë për t’u mbajtur mend. Në minutën e 45-të, Kola godet nga një goditje dënimi nga 22 metra, por topi përfundon jashtë. Pjesa e parë mbyllet pas një minute shtesë me rezultatin 0-0.

E dyta nis më e vrullshme dhe më emocionuese se e para. Lojtarët sarandjotë bëhen protagonist dhe kërkojnë të shënojnë. Në minutën e 53– të, trajneri Agim Bedini hedh në fushë Rugjin në vend të Nelajt, duke shtuar forcën goditëse që ndihet në minutat në vijim. Gjatë intervalit kohor, nga minuta e 54-t në atë të 74- t, Butrinti luan në gjysmëfushën e kundërshtarit duke krijuar shumë raste për shënim. Në minutën e 70-të, tekniku Bedini zëvendëson Dortin me Dalipajn, që kontribuon në mesfushë. Në minutën e 74-t, Rugji kryen manovra me topin që çorienton mbrojtësit miq dhe pason te Alzeneli, i cili kroson saktë dhe Xhuvani shënon me kokë, 1-0. Në minutën e 78-të, ekipi mik fiton një goditje dënimi, por nuk ka rrezik. Dy minuta më vonë, Çutra vetëm për vetëm me portierin nuk arrin të shënojë. Butrinti në minutat e mbetura ushtron presion për të gjetur golin e qetësisë, i cili mund të kishte ardhur me anë të Osmanit, që zgjedh rrugën më të gabuar dhe e nxjerr topin jashtë.

Butrinti - Besëlidhja 1:0
Goli: Xhuvani 74’
Butrinti: Demi, Xhuvani, Xhibro, Alzeneli, Kola (Batha 91’), Rapa, Nela (Rugji 53’), Muço, Dorti (Dalipaj 70’), Gjoka, Osmani. Trajner: A.Bedini
Besëlidhja: Xhika, Kepi, Dibra (Nekaj 52’), Shytani, Shyti, Gruda, Pepaj, Çutra (Haxhiu 80’), Lekaj, Beqiri, Malasi (Danaj 78’). Trajner: G.Cani
Kartonë: Muço 71′, Demi 80’/ Çutra 39′, Xhika 42′, Kepi 64′, Shuti 74′, Haxhiu 85′

Dyshimet - Në fund të ndeshjes, zv/trajneri i Besëlidhjes, Gledis Cani, u shpreh: “Ishte një ndeshje me një luftë të fortë sportive. Mendoj se rezultati më i drejtë do të ishte barazimi. Kam dyshime për 3 nga lojtarët e mi për mosimpenjim në ndeshje, por që emrat e tyre nuk dua t’i bëj publik. Në Sarandë erdhëm me tri mungesa, të cilat ndikuan në rezultat”. (Panorama Sport)
   
Back To Top